Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Thumana: Sot të gjitha këto familje kanë një pasuri shumë herë më të madhe se sa ajo që kishin, lagje si kjo i kanë vetëm të pasurit


Pas dy-tre ditësh në Thumanë do të fillojë shpërndarja e apartamenteve të rindërtuara, për të cilat kryeministri Edi Rama tha se ndihej shumë krenar.

Sipas tij është bërë një “transformim kolosal”, ndërsa deklaroi se familjet e dëmtuara nga tërmeti sot do të marrin një pasuri shumë më të madhe se ajo që kishin dhe që s’do të kishin mundësin ta krijonin dot vetë.

“Sot jemi përpara një transformimi kolosal që ka ndodhur, duke e kthyer në një mundësi të re për komunitete të tëra atë që i ndodhi.

Sot të gjitha këto familje kanë një pasuri shumë herë më të madhe se sa ajo që kishin.

Sot cilido që hyn në një shtëpi të re, ka një kapital që as nuk e kishte para tërmetit dhe as që e vinte dot në kushtet që ishte.

Është një kapital i tërë i kaluar tek mijëra familje, dhe që do të kalojë tek mijëra të tjera duke filluar nga ky fundvit, që do t’i gjejë në shtëpi shumë prej atyre që nuk besonin se do kishin mundësi të hynin më në një shtëpi të re e jo më në një shtëpi me këto kushte. E them me shumë krenari, janë lagje rezidenciale për ata që kanë më pak.

Deri më sot në një lagje rezidenciale si ajo që është këtu mbrapa apo si ajo që është në Fushë Krujë, apo si ajo në Bubq apo si ajo në Manëz, apo si të tjera akoma në Ndroq, Valias e kështu me radhë… hynin të pasurit. Sot falë këtij kontributi të përbashkët hyjnë ata që nuk janë të pasur dhe ndryshe nuk do të kishin mundësi. Jam shumë krenar për këtë dhe jam shumë mirënjohës për të gjithë punëtorët dhe sipërmarrësit që kanë treguar se përtej fitimit të tyre, ka rëndësi edhe solidariteti. Dhe për atë pjesë, ata meritojnë realisht një mirënjohje që do ua shprehim edhe zyrtarisht në një ceremoni të veçantë. Shumë faleminderit!”- janë fjalët e kryeministrit.