Vendosni fjalën kyçe....

U kapen 30 kallëpe tritol, kapsolla e telefona për mina me telekomandë, pranga dy personave në Lezhë


Dy persona janë arrestuar nga policia e Lezhës pasi në mjetin me të cili udhëtonin u gjetën 30 kallëpe me tritol, 7 kapsolla plasëse si dhe dy celularë të lidhur me përcjellës elektrikë, gati për t’u futur te minat me telekomandë.

Në pranga kanë rënë 42-vjeçari A.M. banues në Durrës e 46-vjeçari I.L., banues në Dibër.

Ata u ndalua në rrugën Milot-Shkodër në fshatin Pllanë e pas kontrollit policia gjeti sasinë e lartpërmendur të municionit.

 

Njoftimi

“Vihen në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas që po qarkullonin me mjet nga Miloti në drejtim të Shkodrës, dyshohej se po transportonin lëndë eksplozive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Pllana”.

Në kuadër të këtij operacioni, në aksin e vjetër Milot-Lezhë, në fshatin Pllanë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin I. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 30 kallëpe në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, si dhe një automjet.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. M., 42 vjeç, banues në Durrës dhe I. L., 46 vjeç, banues në Dibër.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja e armëve luftarake, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, kryer në bashkëpunim.”