Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano firmos urdhrin: Policëve do t’u bëhet testi i drogës


Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar kryerjen e testit të drogës për efektivët e policisë.

Gazeta “Panorama.al” ka raportuar se ditën e sotme, 20 oficerë të drejtorisë së Policisë së Elbasanit janë dërguar për të kryer testin e drogës, nëse janë përdorues të saj apo kanë konsumuar më herët lëndë narkotike.

Do të jetë reparti i Toksikologjisë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili do të kryejë analizat për efektivët e policisë.

Sipas gazetës ky proces sapo ka nisur dhe do të vijojë me të gjithë punonjësit e drejtorisë së Policisë së Elbasanit.

Pjesë e testit të drogës nga Policia e Elbasanit do të jenë rangjet më të larta, nga zyrtarët që mbajnë funksionet më të rëndësishme deri tek punonjësi më i thjeshtë i kësaj drejtorie.

Ky vendim vjen pas përfshirjes së një numri të lartë të punonjësve të policisë në aktivitete kriminale. Testi nuk do të bëhet për të gjithë policët por në mënyrë të rastësishme dhe për ata që do të ketë dyshime se mund të jenë përdorues.