Vendosni fjalën kyçe....

Mediet greke e quajnë “provokim” ekspozitën për Çamërinë në Presidencë: Ambasada në Tiranë i ka dërguar Notë Proteste Metës


Ekspozita në Presidencë kushtuar Çamërisë nuk është pritur mirë nga Greqia. Mediet e shtetit fqinj kanë zbuluar se Ambasada greke në Tiranë i ka dërguar një notë proteste presidentit Ilir Meta.

Ekspozita e Metës në Presidencë konsiderohet një provokim nga pala greke, e cila shprehet  e revoltuar gjithashtu për hartat që tregojnë Çamërinë.

“Reagimi i Greqisë ndaj Presidencës së Republikës së Shqipërisë është intensiv përmes një demonstrate në lidhje me një ‘ekspozitë’ provokuese ku prezantohen foto dhe harta me objekte të të ashtuquajturit ‘gjenocidi i çamëve’ por edhe ‘pushtimi i territoreve shqiptare nga Greqia’.“– nis artikulli i Gazetës Protothema.

Gazeta duke iu referuar “burimeve diplomatike”, raporton se “ambasada greke në Tiranë ka zhvilluar një protestë të fortë dhe ka kërkuar menjëherë shpjegime nga zyra e presidentit shqiptar Ilir Meta lidhur me raportin në fjalë.”

Po ashtu media greke vijon të mohojë gjenocidin nda popullit çam: “Fotot, të cilat janë ekspozuar në gardhin e jashtëm të pallatit presidencial shqiptar, shoqërohen me akuza ndaj vendit tonë për ‘gjenocidin e çamëve’, si dhe me harta që tregojnë pjesën më të madhe të Greqisë si ‘territore të pushtuara shqiptare’.”

Ekspozita përkujtimore e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë u organizua nga Fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini” dhe Akademia “Rrënjët Shqiptare” dhe është e aksesueshme për publikun prej disa ditësh në kangjellat e Presidencës, ku çdo kalimtar përmes fotove dhe hartave mund të rikujtojë një pjesë të historisë.

Nga Presidenca ende nuk ka një reagim publik mbi këtë notë Proteste që i ka dërguar Ambasada, apo komenteve të medieve greke.