Vendosni fjalën kyçe....

Raporti: Shqipëria ka presionin më të lartë të kapjes së shtetit nga bizneset në rajon


Presioni i kapjes së shtetit nga bizneset në Shqipëri është më i larti në rajon, sipas një raporti të fundit të SELDI- rrjeti i Europës Juglindore për Lidership, Zhvillim dhe Integritet. Presioni i kapjes së shtetit nga bizneset në vend vlerësohet me 50 pikë, shumë më i lartë sesa vendet e tjera të rajonit. Shteti i dytë pas nesh është Kosova, që e ka treguesin 27, ndërsa më të ulët e ka Mali i Zi në 16 (shiko grafikun).

Sipas raportit, presioni i kapjes së shtetit të biznesit përqendrohet në presionin e monopolizimit në nivelin kombëtar, sektorial ose institucional.

Edhe për treguesin tjetër, mundësuesit e kapjes së shtetit, që përfshijnë faktorë institucionalë dhe mjedisorë në nivel kombëtar, Shqipëria ka nivelin më të lartë me 45 pikë, së bashku me Bosnjë Hercegovinën. Në këtë indikator diferenca nuk është shumë e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Më i ulët është në Kosovë dhe mal të Zi (39).

Sipas raportit, diagnostikimi i Vlerësimit të Kapjes së Shtetit i SELDI-it (SCAD) në Ballkanin Perëndimor ka zbuluar se ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme të kapjes së shtetit.

Presioni i kapjes së shtetit në rajon mbetet ende në nivele të larta.

Rezultatet tregojnë se asnjë nga vendet nuk është afër kapjes së plotë të shtetit, por ka cenime kritike në funksionimin e kontrolleve dhe të ekuilibrave demokratikë dhe ekonomikë.

Gjetjet e SCAD-it tregojnë praninë e fortë të mundësuesve mjedisorë siç janë organizatat publike jo-efektive, të cilave ju mungon integriteti, paanëshmëria dhe protokollet e fuqishme anti-korrupsion. Gjetjet, gjithashtu tregojnë simptoma aktuale të presionit të kapjes së  shtetit nga biznesi, për shembull, monopolizimi që ndodh në nivel kombëtar, sektorial ose institucional. Presioni i monopolizimit është më i larti në Shqipëri dhe Kosovë.

Nivele të konsiderueshme janë regjistruar gjithashtu në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. SCAD-i tregon  simptomat e zhvillimeve të tilla në sektorët kryesorë  ekonomikë. Një nga këta sektorë është energjetika, për  shkak të niveleve të larta të përqendrimit, mungesës së  transparencës dhe strukturës joefikase të qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore si dhe të mungesës së mbikëqyrjes së duhur rregullatore.

Shkalla në të cilën korrupsioni tolerohet nga publiku i gjerë është një tregues i rëndësishëm i progresit të integritetit të zyrave publike. Sistemi i Monitorimit të Korrupsionit (SMK) i SELDI-it, i cili mat format më të vogla të korrupsionit (ryshfetit), tregon se pranueshmëria e korrupsionit mbetet relativisht e lartë në Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova shfaqin pranueshmëri më të lartë se pjesa tjetër.

Kjo, gjithashtu korrespondon me nivele të caktuara të presionit të korrupsionit – shumica dërrmuese (82%) e qytetarëve në rajon, që besojnë se korrupsioni është i pranueshëm në parim, presin që t›u kërkohet ryshfet. Edhe më e rëndësishmja, më shumë se gjysma (62%) e atyre që nuk e pranojnë korrupsionin si normë ende mendojnë se ka të ngjarë të bëhen viktima të presionit të korrupsionit.

Bosnjë Hercegovina ka presionin më të lartë për Korrupsion presioni për të dhënë ryshfet) në rajon (55) e ndjekur nga Shqipëria (48.2) dhe niveli më i ulët është në Serbi  (26.9).

Maqedonasit dhe shqiptarët presin që të kenë presionin më të madh për të dhënë ryshfet.

Në Shqipëri është perceptimi më i lartë publik se gjykatësit, juristët dhe prokurorët publikë janë të korruptuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor