Vendosni fjalën kyçe....

Austria vendi i parë që miraton bllokimin për të pavaksinuarit


Austria do të vendosë kufizime të reja për të pavaksinuarit duke filluar nga e hëna. Masa synon të lehtësojë presionin ndaj spitaleve dhe reparteve të reanimacionit.

Bllokimi do të hyjë në fuqi në mesnatë dhe do të zbatohet për personat e moshës 12 vjeç e lart, të cilët nuk janë vaksinuar dhe nuk janë shëruar së fundmi nga Covid-19.

“Ky hap nuk ishte i lehtë për t’u ndërmarrë, por është i nevojshëm,” tha kancelari Alexander Schallenberg. “Rreziku për personat e pavaksinuar është shumë më i lartë. Prandaj, ne jemi të detyruar të ndërmarrim këtë hap të vështirë për të reduktuar numrin e kontakteve.”

Schallenberg tha se vala e katërt e infeksioneve kishte goditur vendin me “fuqi të plotë”.

Kancelari u bëri thirrje edhe një herë njerëzve që të vaksinohen për të “thyer” valën. “Përndryshe ne nuk do t’i shpëtojmë kurrë këtij rrethi vicioz.”

Dy nga rajonet më të goditura, Austria e Epërme dhe Salzburgu, ishin të parët që njoftuan se do të vendosin një bllokim të hënën.

Ministri i Brendshëm Karl Nehammer tha më herët se shkelësit e bllokimit do të përballen me gjoba të mëdha. Konsumatorët mund të ndëshkohen me një gjobë deri në 500 € për shkelje të kufizimeve, ndërsa bizneset mund të ndëshkohen me një gjobë deri në 30,000 €.

“Për ata që respektojnë të gjitha masat, është më se e padrejtë nëse ka njerëz që mendojnë se thjesht mund të anashkalojnë apo edhe mashtrojnë autoritetet shëndetësore, ministrinë e shëndetësisë dhe udhëzimet e ekspertëve”, shpjegoi ministri.

Ideja e një bllokimi që synon ekskluzivisht të pavaksinuarit u shfaq për herë të parë nga qeveria në shtator si një përgjigje ndaj një skenari makthi në të cilin 30% e shtretërve të reanimacionit do të ziheshin nga pacientët Covid-19. Kjo shifër aktualisht është 20% dhe është në rritje. Zyrtarët shëndetësorë janë alarmuar gjithnjë e më shumë se spitalet do të mbipopullohen mes asaj që ata e quajnë “pandemia e të pavaksinuarve”.

Presidenti Alexander Van der Bellen paralajmëroi të shtunën se situata në disa spitale dhe reanimacione ishte “e padurueshme” dhe mund të përkeqësohej më tej nëse nuk ndërmerren veprime të forta.

Rreth 65% e popullsisë nëntë milionëshe të Austrisë janë vaksinuar plotësisht, një nga normat më të ulëta në Evropë, sipas Reuters. Qeveria austriake paralajmëroi se rreth 83% e rasteve simptomatike të regjistruara midis janarit dhe shtatorit të këtij viti përfshinin njerëz të pavaksinuar.