Vendosni fjalën kyçe....

U bindet ndjekësve, Elon Musk shet 5 miliardë dollarë aksione të Tesla-s


Elon Musk ka shitur rreth 5 miliardë dollarë të aksioneve të tij në kompaninë e makinave elektrike Tesla.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi ai pyeti ndjekësit e tij në “Twitter” nëse ai duhet t’i shesë apo jo 10% të aksioneve të tij në Tesla.

Në postimin e tij, Musk shprehej se pagesat e tij nga Tesla vinin vetëm përmes aksioneve kështu që në mënyrë që ai të paguajë taksat, duhet të shesë aksionet e kompanisë.

“Shumë është bërë kohët e fundit nga fitimet e parealizuara që janë një mjet për shmangien e taksave, kështu që unë propozoj të shes 10% të aksioneve të Tesla-s.

E përkrahni këtë?

Unë do t’i përmbahem rezultateve të këtij sondazhi, sido që të shkojë.

Shënim, unë nuk marr rrogë në para ose bonus nga askund. Unë kam vetëm aksione, kështu që e vetmja mënyrë që unë të paguaj taksat personalisht është të shes aksione.”- shkruan Musk.

BBC shkruan se aksionet e kompanisë ranë me rreth 16% në dy ditët pasi sondazhi doli në favor të shitjes së aksioneve të tij, përpara se të ngriheshin sërish të mërkurën.

Tesla është prodhuesi më i vlefshëm i makinave në botë, me një vlerësim në bursë prej më shumë se 1 trilion dollarë.

Rregullatori për aksione në Shtetet e Bashkuara ka thënë se për një pjesë të mirë të aksioneve veçse ka pasur plan të tregtimit nga muaji shtator, para se Musk të kërkonte mendimin e audiencës në Twitter.

Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri personale në vlerë të 280 miliardë dollarëve.

Veprimi i tij është përgjigje ndaj taksave për miliarderët, që janë propozuar nga demokratët.