Vendosni fjalën kyçe....

Pse Presidenti i Serbisë Vuçiç zgjodhi Richard Grenellin në vend të Angela Merkelit


Nga Filip Milaçiç – 30 prill 2021

Edhe pse anëtarësimi në BE është qëllimi zyrtar i politikës së jashtme të Serbisë, Rusia dhe Kina – dhe ndoshta SHBA në të ardhmen – po ofrojnë diçka shumë më të vlefshme për liderët serbë: një shpresë se ndryshimi i kufijve kombëtarë do të jetë i mundur përsëri, shkruan. Filip Milaçiç.

Dr. Filip Milaçiq është këshilltar kombëtar për çështjet politike në Misionin e OSBE-së në Mal të Zi. Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë opinionet e OSBE-së.

Javët e fundit në Evropë u simbolizuan nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. Prandaj, historitë e efektit të pandemisë në shëndet, ekonomi dhe politikë kanë mbizotëruar lajmet, kjo është arsyeja pse një zhvillim i rëndësishëm kaloi nën radar.

Në mes të pandemisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti humbi votëbesimin në parlament. Sipas mediave, ai pagoi një çmim për kundërshtimin e një marrëveshjeje të fshehtë mes presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, e cila u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell dhe që dyshohet se përfshin shkëmbimin e territoreve.

Presidenti Vuçiç, i cili gjithmonë është mburrur për marrëdhëniet e tij të mira me kancelaren gjermane Angela Merkel, vendosi këtë herë të shkojë kundër dëshirave të BE-së dhe kancelares Merkel duke rrezikuar kështu integrimin evropian të vendit të tij.

Megjithatë, kjo ishte një lëvizje krejtësisht e pritshme. Edhe pse anëtarësimi në BE është qëllimi zyrtar i politikës së jashtme të Serbisë, për dy arsyet e mëposhtme integrimi evropian i Serbisë është i dënuar të dështojë:

Së pari, anëtarësimi në BE nuk është në interesin politik të presidentit Vuçiq. Konferenca e tij e fundit e çuditshme për shtyp, në të cilën ai kritikoi fuqishëm BE-në dhe lavdëroi Kinën, bëri që shumë njerëz ta konsiderojnë pandeminë e koronavirusit si një pikë kritike në të cilën Serbia do të vendosë rrugën e saj të ardhshme.

Megjithatë, pa lidhje me pandeminë e koronavirusit, Serbia nën Presidentin Vuçiç tashmë ka hyrë në rrugën e autokratizimit dhe duke lavdëruar Kinën dhe sistemin e saj ai po forcon legjitimitetin e tij politik.

Përveç kësaj, duke e portretizuar BE-në si egoiste, presidenti Vuçiç po përpiqet gjithashtu të ulë popullaritetin e BE-së brenda elektoratit serb dhe, në këtë mënyrë, të dobësojë ndikimin e kritikikave të pashmangshme të BE-së ndaj praktikave të tij autoritare.

Së dyti, edhe nëse presidenti Vuçiç do të rrëzohej nga pushteti, mbetet ende një pengesë kryesore për integrimin evropian të Serbisë – çështja kombëtare serbe. Në skenën politike serbe, ekziston një ide e përhapur se çështja kombëtare është ende për t’u zgjidhur (kufijtë kombëtarë duhet të ‘vizatohen’ përsëri).

Për këtë çështje ka një marrëveshje dypartiake, d.m.th., nuk ka dallim mes qëndrimeve të partive në pushtet dhe shumicës së partive opozitare. Kjo po pengon rrugën evropiane të Serbisë, sepse detyrimet e anëtarësimit të mundshëm në BE janë në një përplasje me qëllimin e Serbisë për të zgjidhur çështjen kombëtare.

Serbia duhet të bëjë një marrëveshje me Kosovën, e cila me shumë mundësi do të nënkuptonte njohjen e saj direkte apo indirekte. Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë pasi njohja e Kosovës – në çfarëdo forme – është jashtëzakonisht e papëlqyeshme brenda elektoratit serb.

Shumë sondazhe kanë treguar se dhënia përparësi e çështjes kombëtare nuk është vetëm një zgjedhje e elitës politike, pasi shumica e qytetarëve serbë e ndajnë këtë pikëpamje.

Për më tepër, ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi fqinje dhe pretendimet ndaj këtyre dy vendeve shkojnë kundër një prej shtyllave të integrimit në BE – politikës së fqinjësisë së mirë.

Në frymën e viteve 1990, liderët politikë serbë po sillen sikur të ishin përfaqësues të të gjithë serbëve në rajon, dhe jo vetëm të qytetarëve serbë.

Me fjalë të tjera, në Serbi, çështja kombëtare ia kalon integrimit evropian. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kohët e fundit u ankua për mungesën e tabelave ‘Faleminderit BE-së për ndihmën që na ka ofruar’ në rrugët e Beogradit. Deri tani ky ‘nder’ i është rezervuar vetëm Kinës dhe Rusisë.

BE-ja mund të dyfishojë ndihmën e saj financiare, por gjithsesi nuk do ta ‘meritonte’ tabelën e mirënjohjes në rrugët e Beogradit, sepse Rusia dhe Kina – dhe ndoshta SHBA-ja në të ardhmen – po ofrojnë diçka që është shumë më e vlefshme për udhëheqësit serbë: një shpresë se ndryshimi i kufijve kombëtarë do të jetë e mundur përsëri.

Kjo shpjegon pse presidenti Vuçiç rrezikon duke larguar kancelaren gjermane Merkel dhe Brukselin e duke bërë një marrëveshje të fshehtë me Presidentin e Kosovës Thaçi nën sponsorizimin e Richard Grenell.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, përsëriti në disa raste se administrata e tanishme amerikane është më e hapur ndaj vizionit të Serbisë për të ardhmen e Ballkanit se çdo tjetër dhe Serbia duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Prioritetet serbe qëndrojnë aty dhe nuk kanë të bëjnë me reformat që do ta afronin atë me anëtarësimin në BE. Është koha që BE-ja ta pranojë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Euractiv

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani