Vendosni fjalën kyçe....

Vaksina kundër Covid-19 bëhet e detyrueshme për fëmijët në Kosta Rika


Kosta Rika është bërë vendi i parë në botë që i ka bërë të detyrueshme vaksinat kundër Covid-19 për fëmijët.

Zyrtarët shëndetësorë deklaruan se vaksina anti-Covid do t’i bashkohet listës së vaksinimeve bazë të fëmijërisë që tashmë kërkohen me ligj.

Vendi nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Pfizer për të marrë dozat e nevojshme për të filluar vaksinimin e të gjithë fëmijëve nën moshën 12 vjeç nga marsi i vitit 2022.

Në fillim të kësaj jave, organet rregullatore të shëndetit të SHBA-ve miratuan vaksinën e Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.

Shumica e fëmijëve nuk kanë gjasa të sëmuren rëndë nëse infektohen me Covid-19, por mund të jenë akoma infektues, edhe pa simptoma.

Siç shkruan BBC, marrëveshja e Kosta Rikës me kompaninë Pfizer do të bëjë që vendi të marrë 3.5 milionë doza, nga të cilat 1.5 milionë do të rezervohen për ata të moshës 5 deri në 11 vjeç. Të tjerat do të jenë për dozat e treta që do t’u jepen personave të parë, popullatës së moshuar dhe njerëzve me imunitet të shtypur.

Deri më sot, rreth 55% e njerëzve të kualifikuar janë vaksinuar plotësisht në Kosta Rika, sipas shifrave Our World in Data.

Më shumë se 70% e atyre të moshës midis 12 dhe 19 vjeç kanë marrë deri më tani të paktën një dozë të vaksinës, thonë zyrtarët.

Vendimi i SHBA-ve për të miratuar vaksinën Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç ka hapur rrugën për 28 milionë të rinj amerikanë për t’u vaksinuar. Atyre u jepet një dozë e barabartë me një të tretën e dozës së administruar tek të rriturit.