Vendosni fjalën kyçe....

Kishin ndaluar për të parë shfaqjen, momenti kur avioni rrëzohet mbi nënën dhe vajzën 3-vjeçare në Argjentinë (VIDEO)


Një aksident i rëndë ka ndodhur në Argjentinën qendrore, ku një avion i vogël i përdorur për shfaqje është rrëzuar sipër një gruaje dhe vajzës së saj.

Daily Mail shkruan se gruaja 27-vjeçare Yésica Acuña, sëbashku me vajzën e saj 3-vjeçe Isabella Santiago, po ktheheshin për në shtëpinë e tyre kur u ndalën për të parë një shfaqje me avionë të shtunën mbrëma në fshatin malor të Villa General Belgrano.

Piloti Fernando Endrigo, 35 vjeç, po bënte një shfaqje akrobatike së bashku me një avion tjetër si pjesë e festimeve për dasmën e një piloti të njohur, Rodrigo Cerioni.

Mirëpo Endrigo humbi kontrollin e avionit duke goditur një pemë përpara se të përplasej mbi dy këmbësoret që po shijonin shfaqjen.

Zjarrfikësit u detyruan të hapin aeroplanin në mënyrë që të nxirrnin jashtë Endrigon. Të tre të plagosurit fillimisht u dërguan me urgjencë në spitalin Eva Perón në Santa Rosa de Calamuchuta, dhe më pas u transferuan në spitale të tjera për mjekim më të specializuar.

Endrigo thuhet se kishte pësuar “traumë në gjoks, në bark, frakturë të kyçit të këmbës së majtë dhe traumë në kokë.” Ai ndodhet në gjendje kritike dhe po trajtohet në Spitalin Universitar Privat të Kordobës. Ndërkohë Acuña iu nënshtrua një operacioni urgjent për fraktura në zonën e femurit dhe legenit në Spitalin Misericordia, ku ndodhet në kujdes intensiv.

Vogëlushja 3-vjeçare nga ana tjetër ka pësuar dëmtime në pjesën e barkut dhe ijeve dhe është në gjendje të qëndrueshme në Spitalin e Fëmijëve të Kordobës.