Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimi ndaj Albin Kurtit, flet deputeti i Vetëvendosjes: Nuk ka asnjë lidhje me rrjetet sociale


Një ditë më parë zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se kreu i qeverisë ishte kërcënuar me jetë. Mirëpo nuk jepeshin detaje mbi formën e kërcënimit apo se kush dyshohet të fshihet pas.

Lidhur me këtë ka folur në një intervistë deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë.

Dugolli thotë se këto kërcënime nuk kanë lidhje me rrjetet sociale, ashtu siç kanë shkruar disa media në Kosovë.

 “Nuk kemi ndonjë informacion për shkak se këto janë informacione që iu takojnë organeve të sigurisë të cilat besoj se janë në krye të detyrës.

Përmes rrugëve operative me siguri që kanë marrë informacion dhe e kanë ngritur edhe nivelin e sigurisë. Kjo është detyrë ekskluzive e njësiteve të policisë dhe mbrojtjes së afërt të cilët në bazë të informacioneve e ngrisin shkallën e nivelit të sigurisë.

Nuk kemi ende ndonjë informacion zyrtar se prej nga ka ardhur kërcënimi. Organet e sigurisë po e trajtojnë në mënyrë të duhur.

Kryeministri është mirë dhe po i kryen detyrat e veta, gjithashtu edhe organet e rendit po e kryejnë punën e tyre. Është çështje që po trajtohet dhe organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e identifikimit, verifikimit dhe hetimit të saktë të asaj që ka ndodhur.

Mos të harrojmë që kryeminsitri Kurti është kërcënuar edhe më herët dhe ka qenë në publik. T’ia lëmë organeve përgjegjëse që në momentin që ata konsiderojnë se duhet të ketë një informatë edhe për publikun me siguri se do të thuhet” – tha deputeti.

Dugolli hodhi poshtë mundësinë që kërcënimi të ketë lidhje me postimet në rrjete sociale ku kërkohet “vrasja e Albin Kurtit” për një shumë të caktuar parash të cilat tashmë janë bërë virale: “I kam parë ato në rrjete sociale. Mund t’iu siguroj se informata për kërcënim është zbuluar dhe ka shkuar nga rrugët operative të njësiteve dhe organeve të shtetit. Këto në rrjete sociale po mundohen në një formë të devalvojnë informatat dhe ngritjen e nivelit të sigurisë dhe nuk janë qëllim mira e nuk i kontribuojnë aspak zbardhjes së këtij rasti dhe hetimeve që po zhvillohen.”