Vendosni fjalën kyçe....

U plagos në sheshxhirim nga aktori Alec Baldwin, regjisori Joel Souza del nga spitali


I mbetur i plagosur gjatë xhirimeve të filmit “Rust”, regjisori i tij Joel Souza ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka dalë nga spitali. Lajmi është konfirmuar nga një anwtare e kastit, aktorja Frances Fisher.

Në një bisedë në Twitter me kolegen e saj Patricia Arquette, e cila po lutej për shëndetin e regjisorit, Fisher u përgjigj se ajo kishte folur me të dhe ai ishte liruar nga spitali.

Po ashtu gazetarja angleze Kate Garraway tha në një shfaqje të mëngjesit në Mbretërinë e Bashkuar: “Sapo kemi dëgjuar se Souza tani është jashtë spitalit”.

Sipas raporteve fillestare, regjisori ishte dërguar në Qendrën Mjekësore Rajonale të Christus St. Vinsent’s në Santa Fe.

Ai u plagos një ditë më parë në sheshxhirim nga një armë e qëlluar nga aktori Alec Baldwin. Nga ngjarja humbi jetën drejtoresha e Fotografisë, Halyna Hutchins, e cila ishte 42 vjeçe.

Deri më tani nuk ka patur asnjë koment nga Baldwin për ngjarjen, por në internet po qarkullojnë disa foto të aktorit, i cili duket i shqetësuar dhe i përlotur.