Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka zhvilluar këtë të enjte një takim me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas, për të diskutuar lidhur me problematikat dhe kërkesat e tyre, ndërsa paralajmëroi se do të veprohet me “grusht të hekurt”.
Gjatë fjalës së saj, Balluku deklaroi se duke filluar nga dita e nesërme do të nisë një aksion me “grusht të hekurt” ndaj subjekteve që kryejnë aktivitet të paligjshëm.
“Ne presim nga ju që të na informoni për të gjitha ato automjete që në rrugë lëvizin dhe kryejnë funksion të transportit publik. Do të marrim masa menjëherë. Do të kontaktojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke i ofruar këtë informacion për verifikim.
Në rast se do të konstatohet nga ata që këtu kryhen veprime të paligjshme sigurisht do të ketë edhe marrjen e masave të duhura.
Unë po e bëj me dije sot që të mos kemi nesër nga këto thëniet ‘ç’qe kjo fushatë që nisi, pse po goditemi’, që të gjitha ato automjete private të cilat në rrugët e Shqipërisë lëvizin duke kryer funksione të transportit në mënyrë të paligjshme duke nisur që nesër, Policia e Shtetit do të ketë një aksion për të zhbërë njëherë e mirë të gjithë këtë situatë.
Siç me shumë të drejtë përfaqësuesit e shoqatave e transportit thanë, një nga arsyet kryesore të të gjitha problematikave financiare që ata hasin është edhe konkurrenca e padrejtë që vjen nga subjektet e palicencuara ose nga automjetet private. Sepse subjekt i palicencuar duket fjalë e madhe kur bëhet fjalë për një automjet privat që hap dyert dhe bën transport publik.
Realisht kjo është diçka që do ta marrim shumë seriozisht tashmë. Sepse në këtë moment kur flitet për krizë kaq të madhe globale, kur flitet për çmimet e rritura të karburanteve, kur flitet për të gjitha efektet postpandemike. Kur flitet për vetë pandeminë që vazhdon dhe sot të gjitha subjektet punojnë me numër të kufizuar qytetarësh, ne nuk mund të lejojmë më pavarësisht se kemi pasur disa herë aksione dhe marrje masash, por kësaj radhe do ta bëjmë me grusht të hekurt dhe do ndalojë njëherë e mirë i gjithë transporti i paligjshëm i cili afekton negativisht sistemin tonë të transportit të qytetarëve, qoftë ai brenda qyteteve dhe jashtë qytetas.”- tha ministrja Balluku.
Ky takim vjen pak ditë pasi Shoqata e Transportit Qytetas në Tiranë njoftoi se ka përgjysmuar flotën e autobusëve në rrugët e kryeqytetit, me argumentin se kishin kosto të larta për shkak të shtrenjtimit të naftës dhe mungesës së përgjigjes nga institucionet përkatëse për kërkesat e tyre.