Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Liria e shpifjes në Shqipëri në nivelet më të larta, jam krenar për patronazhistët e PS-së


Kryeministri Rama pohoi sot se është kundër qasjes së BE-së mbi lirinë e medias po tha se vendi kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian e kësisoj do përshtatet në këtë drejtim.

Gjatë konferencës për shtyp mbi progresraportin e KE-së për Shqipërinë, kreu i qeverisë tha se liria e shpifjes në vend është në nivelin më të lartë.

“Në Shqipëri liria e shpifjes është në nivelin më të lartë. A është kjo liri e medias, nuk më duket po do përshtatemi. Po ne duam të futemi në këtë familje dhe do përshtatemi. Nuk më pëlqen qasja e tyre në raport me situatën e shpifjes në Shqipëri, po s’kemi çfarë të bëjmë.” – tha Rama.

Ai shtoi më tej se ishte krenar për patronazhistët e Partisë Socialiste duke i falënderuar ata për suksesin në zgjedhjet e fundit.

Rama theksoi se në të gjitha vendet në botë, nuk ka parti politike pa patronazhistë dhe vijoi duke thënë se ishte krenar për punën e tyre.

“Në asnjë vend  të zhvlluar, që nga SHBA-ja, Britania e Madhe e vende të tjera në Europë e deri në Zelandën e Re nuk ka parti politike pa patronazhistë edhe pse mund të kenë emërtime të tjera. Madje jo vetëm jam krenar po jam edhe më krenar tani pas zgjedhjeve se pa ta ne nuk do ishim makineri e pathyeshme po do ishim një foltore. Jam shumë krenar për partronazhistët. Ne do kishim marrë 77 deputetë nëse qytetarët nuk do kishin ngatërruar partinë me kandidatët,  dhe në ëtë fitore kontributi i tyre është i pakontestueshëm.” – tha Rama.