Vendosni fjalën kyçe....

Basha shkarkon Nokën si Nënkryetar të Komisionit të Sigurisë, e paralajmëron për përjashtim nga Grupi Parlamentar


Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shkarkuar Flamur Nokën nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe e ka paralajmëruar për përjashtim nga Grupi Parlamentar.

Arsyeja sipas deklaratës së Partisë Demokratike, është bërë debati gjatë mbledhjes së Kryesisë së Grupit. 

Sipas PD-së në këtë mbledhje Noka, ka “prodhuar gënjeshtra për të baltosur” Bashën. 

Sot Kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”-njofton PD-ja.