Vendosni fjalën kyçe....

BSH vendos pezullimin e licencës për “Micro Credit”, shkelje me kontratat e kredisë


Banka e Shqipërisë ka vendosur të pezullojë përsëri licencën e institucionit financiar jo-bankë, Micro Credit Albania.

Sipas vendimit të Bankës së Shqipërisë, Micro Credit Albania nuk do të japë kredi dhe as të ristrukturojë kreditë e dhëna deri më 30 qershor 2024. Megjithatë, subjekti është lejuar të vijojë të trajtojë portofolin e kredive ekzistuese dhe të shesë atë gjatë kësaj periudhe.

Gjatë kësaj periudhe, subjektit i është lejuar të vijojë të trajtojë/ administrojë portofolin e kredive që ka të regjistruar në librat kontabël (arkëtimin e kësteve, ndjekjen e procedurave përmbarimore, ristrukturimin vetëm të principalit, interesit dhe maksimumit të lejuar të penaliteteve (30%), si edhe mund të shesë portofolin e kredive)”, thuhet në vendimin e Bankës së Shqipërisë.

Arsyet për pezullimin e licencës janë shkelje të shumta të identifikuara nga Departamenti Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Këto shkelje përfshijnë mungesën e klasifikimit të kredive mbi bazën e riskut, moskryerjen e analizës së plotë financiare mbi aftësinë e paguese të klientëve, dhe moscaktimin e kufizimeve të penaliteteve sipas rregullores për kredinë konsumatore. Gjithashtu, Micro Credit Albania nuk kishte një bazë të dhënash të plotë dhe të përditësuar për klientët e saj, duke shkelur rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Shkeljet kishin filluar që në vitin 2020 dhe, megjithë përmirësimin e përkohshëm në vitin 2021, një kontroll i realizuar në vitin 2022 identifikoi shkelje të reja, që çuan në pezullimin e licencës së subjektit.

Ky vendim i Bankës së Shqipërisë është një masë e rëndësishme për të siguruar që institucionet financiare të respektojnë rregulloret dhe standardet e nevojshme për sigurinë financiare dhe integritetin e sistemit bankar në vend.

“Gjatë kësaj kohe janë adresuar një pjesë e vogël e rekomandimeve të ekzaminimeve të mëparshme, ndërkohë që janë evidentuar përsëri shkelje të kërkesave rregullatore. Ndër më kryesoret, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vlerësuar: dhënien e informacionit të pasaktë dhe jo të plotë në raportime periodike, në regjistrin e kredive dhe gjatë ekzaminimit në vend, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare, (mos)klasifikimin e klientëve sipas kërkesave rregullatore për rrezikun e kredisë, mangësi të elementeve të transparencës gjatë plotësimit të aktmarrëveshjeve me klientët”, thuhet në vendimin e Bankës së Shqipërisë.

Përtej këtyre shkeljeve subjekti ka mashtruar për situatën financiare, pasi ka paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë një situatë joreale të cilësisë së portofolit të kredisë.

Por konstatimi i shkeljeve kishte nisur që në vitin 2020, dhe ju lanë detyrat për të korrigjuar shkeljet. Pas një përmirësimi në vitin 2021, por ky rregullim ka rezultuar i përkohshëm pasi në vitin 2022 nga një kontroll në këtë subjekt u identifikuan shkeljet që shkaktuan pezullimin.