Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku nuk do të marrë pjesë në samitin e klimës në Skoci


Papa Françesku nuk do të udhëtojë në Skoci për konferencën e OKB -së për klimën.

Kujtojmë se Papa 84-vjeçar më parë kishte deklaruar se shpresonte të merrte pjesë në konferencën në fjalë që mbahet në Glasgow muajin e ardhshëm, por kjo do të varej nga gjendja e tij shëndetësore.

Të Premten, Vatikani tha se delegacioni i tij do të udhëhiqej në vend të Papës nga kardinali Parolin, sekretari i tij i shtetit.

Samiti i klimës do të mbahet në Glasgow nga data 31 Tetor deri më 12 Nëntor. Siç shkruan BBC, Papa Françesku pritej të ishte në mesin e 120 udhëheqësve botërorë për të marrë pjesë në këtë event, për të paraqitur planet e tij për të ulur emetimet që shkaktojnë ndryshimin e klimës.

Organizatorët kanë konfirmuar se në samit do të marrë pjesë edhe Mbretëresha e Britanisë Elisabeth II.

Në një intervistë me Vatican News të botuar në shtator, Papa Françesku shphehej se fjalimi që ai do të mbante ishte duke u përgatitur.

Ai i tha intervistuesit: “Në parim, programi është ai që unë shkoj. E gjitha varet nga mënyra sesi do të ndihem në atë kohë. Por në fakt, fjalimi im tashmë është duke u përgatitur dhe plani është të jem atje.”

Në korrik, ai iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm për të trajtuar një problem të zorrës së trashë.