Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti për nëndetëset, Ramës i kërkohet të zgjedhë mes Francës dhe SHBA-ve: Nuk futemi në këtë krizë


Në intervistën e dhënë sot për televizionin francez “TV5Monde”, kryeministri Edi Rama i cili po fliste nga Nju Jorku, u pyet për qëndrimin e Shqipërisë në konfliktin mes Francës dhe SHBA-ve për çështjen e nëndetëseve për Australinë.

Pas pyetjes së gazetares Rama qeshi dhe më pas u mundua të jepte një përgjigje diplomatike.

Ai u shpreh se Shqipëria nuk mund të futet në këtë lloj krize.

“Jo. Ne jemi vërtet aleatë krenarë të SHBA-ve, por jemi gjithashtu miq shumë krenarë të Francës dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize, le të themi, mes atyre të dyve, sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur dhe nga ana tjetër, jam i sigurt që ndërmjet presidentit Macron dhe presidentit të SHBA-ve Joe Biden, ka mjaft aftësi për të dialoguar dhe për ta zgjidhur krizën në mënyrën më miqësore.”- deklaroi Rama.

Kujtojmë se javën e kaluar, Australia vendosi të hedhë poshtë një marrëveshje të vitit 2016 që kishte me Francën për nëndetëse me vlerë 40 miliardë dollarë.

Kryeministri australian Morrison tha se vendi do blejë të paktën 8 nëndetëse bërthamore me teknologji amerikane e britanike duke theksuar se Franca ishte njoftuar më herët për këtë gjë.

Parisi zyrtar mohoi të jetë njoftuar për prishjen e marrëveshjes me ministrin e Jashtëm Le Drian që e quajti veprimin, ‘thikë pas shpine’.

Pas kësaj, Franca njoftoi tërheqjen e menjëhershme të ambasadorit të saj në Shtetet e Bashkuara, Philippe Etienne, në shenjë proteste ndaj njoftimit të Presidentit Biden për marrëveshjen për të furnizuar Australinë me nëndetëse me energji bërthamore pa u këshilluar me zyrtarët francezë.