Vendosni fjalën kyçe....

Shembjet pa leje në Dhërmi, Çuçi: Gabohet rëndë kush ka menduar se ky është thjesht një aksion, ai do të vazhdojë


Nuk është thjeshtë një aksion, ndërsa mendohet se do të vazhdojë. Ky është mesazhi i ministrit të Punëve të Brendshme Bledi Çuçi, ndërsa publikohet edhe një video me shembjen e një godine në Dhërmi.

 “Ajo që nisëm në muajin qershor nuk ka për të qenë thjesht një aksion. Kush e ka menduar kështu, gabohet rëndë. Kjo është një punë që do të vazhdojë me vullnetin tonë të plotë për të mos toleruar askënd që zapton e ndërton ku të mundet. Nisi ky operacion në zonat bregdetare, por IKMT dhe Policia e Shtetit do të jenë kudo tjetër në territorin e vendit ku po tentohet apo janë ngritur objekte pa leje ose që janë në tejkalim të lejes së miratuar”, thotë ministri i Brendshëm për aksionin “Bregdeti Ynë” që do të vazhdojë në Dhërmi.

Deri më tani janë shembur mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetra persona, sipas të dhënave që vënë në dispozicion autoritetet.