Vendosni fjalën kyçe....

Debati në Kuvend që largoi opozitën nga salla/ Basha: Je ushtare, manekinë, Nikolla: Kemi pushtetin e votës


Mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla u zhvillua një debat lidhur me votimin për shtyrjen e seancës për zgjedhjen e përbërjes së komisioneve parlamentare.

Basha e quajti Nikollën ushtare, apo edhe manekinë ndërsa Nikolla nga ana tjetër i kërkoi të ruante etikën e deputetit.

Debati i plotë:

Petrit Vasili: Praktikisht nuk kemi pasur asnjë komunikim nga Kuvendi dhe kjo e ka bërë të pamundur të deklarojmë praninë tonë dhe preferencën tonë në komisionet përkatëse. Duke qenë se ishte detyrë e Kuvendit dhe nuk është kryer, kemi zero komunikim, ose dalim pak minuta ta zgjidhim, ndryshe do të mbetet në një moment tjetër.

Lindita Nikolla: Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Kuvendit, por ne do ta përmbushim këtë detyrim. Në vijim patjetër. Sekretaria e Kuvendit do ju kontaktojë.

Alfred Rrushaj: Do të propozoj që të ndalojmë pak seancën meqë kemi këtë kërkesë nga Vasili që të bëjnë propozimet.

Taulant Balla: Është e drejtë ajo që ngre Vasili sepse edhe deputetët që nuk janë në grupe është e drejtë që të repartizohen sipas komisioneve. Do të kërkoja mirëkuptimin e grupit të PD-së që të rishikonte propozimit e veta në numrin që ka propozuar, pasi praktikisht grupi i PD-së i bie të ketë mbi 70 deputetë në sallën e Kuvendit, që të gjithë e dimë që nuk është ky numri që ka grupi i PD-së.

Të gjithë e dimë që ndiqet parimi që shumica ka të drejtë që të ruajë shumicën në të gjitha komisionet. Grupi i PS ka deputetë efektivë për komisione 60 dhe si i tillë nëse do të përpjesëtonim me numrin e komisioneve 8-të, ne i bie që të përmbushim një shumicë me 8 deputetë. Në momentin që PD ka sjellë propozime që tejkalojnë numrin e deputetëve të saj duke shkelur parimin një deputet për një komision është e pamundur që të ruhet shumica në të gjitha komisionet.

Prandaj i sugjeroj Rrushajt që të kalojmë dy pikat e para të rendit, që kanë të bëjnë me kryesitë dhe duke qenë se puna normale e komisioneve do të vijojë më pas të kemi mundësi të repartizojmë edhe deputetët e grupeve të tjera dhe të ruajmë parimin që shumica ruan të drejtën që të ketë një numër përtej numrit që ka opozita. Sepse në rast se tani do të repartizonim edhe deputetët e LSI-së i bie që të kemi në komisione të barabartë dhe në këtë këndvështrim për mos bërë debat, zgjedhim kryesitë e komisioneve. Do ju kërkoja miqësisht që emocionet ti lemë jashtë kësaj salle.

Lulzim Basha: Lëri emocionet mos bëj derr-dërr, mbylle aty si procedurë.

Taulant Balla: Nuk kam emocione fare dhe për shkak të eksperiencës shumë të gjatë në këtë sallë, shumë më të gjatë se të gjithë ata që shkelin rregulloren dhe etikën, që janë të domosdoshme për t’u zbatuar.

Lulzim Basha: Mos bëj dërr-dërr këtu.

Taulant Balla: Zonja kryetare repartizimi i anëtarëve në komisione të mos votohet sot por seancën tjetër.

Alfred Rrushaj: Të ndërpritet seanca dhe t’u japim mundësi deputetëve të LSI që të bëjnë propozimet e tyre për ndarjen e përhershme dhe të vazhdojmë sot me miratimin e komisioneve.

Taulant Balla: Sot të zgjedhim Byronë dhe caktimin e komisioneve. Përbërjen ta votojmë në seancën pasardhëse.

Lindita Nikolla: Ok, e hedhim në votim. Kush është pro? Atëherë miratohet.

Lulzim Basha: E ke nisur seancën e parë duke shkelur rregulloren. Merr urdhër si ushtare nga dikush që nuk duhet të ishte në këtë sallë, turp të të vijë.

Lindita Nikolla: Unë jam deputete e Republikës së Shqipërisë.

Lulzim Basha: Ti je një manikine. Merr urdhra nga dikush që nuk duhet të ishte në këtë sallë. Me cfarë pushteti e ndryshon rendin e ditës?

Lindita Nikolla: Me pushtetin e votës.

Lulzim Basha: Turp të të vijë.