Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen edhe 2 persona të tjerë pas hetimit për vjedhjet në Sarandë


Arrestohen 2 persona të tjerë pas hetimit për vjedhjet në Sarandë gjatë sezonit turistik. Më herët janë vënë në pranga dhe 3 shtetas të tjerë, për 14 vjedhje të ndodhura në qytetin e Sarandës dhe Ksamilit.

“Shërbimet bënë ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim:

– Andon Qurku, 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” në shtetin shqiptar dhe atë grek.

– Renato Vezelaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.”, njofton policia.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura gjatë sezonit turistik, në qytetin e Sarandës.

“1. Më datë 08.06.2021, këta shtetas, kanë vjedhur një shumë parash dhe një orë dore, në banesën e shtetasit A. B.

2.Më datë 13.06.2021, kanë vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri në banesën e shtetasit E. B.

3.Më datë 08.09.2021, kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë si unaza, ora dore dhe varse në banesën e shtetasit B. A.

Këta shtetas dyshohen se pasi kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri tjetrin, menjëherë largoheshin në drejtim të qytetit të Tiranës, ku një pjesë të sendeve të vjedhura i shisnin në argjendarinë e shtetasit S. V, ndërsa pjesën tjetër i mbanin të fshehura në banesë.

Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. V., 42 vjeç, banues në Tiranë, (pronari i një argjendarie në Tiranë) për veprën penale të “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në argjendarin e tij, u gjetën disa prej sendeve të vjedhura nga këta shtetas, ndërsa pjesa tjetër e sendeve të vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan në banesën e shtetasit Renato Vezelaj, në Tiranë.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, shtetasi Jolian Hila, 18 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi më datën 09.09.2021, ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit D. K.”, jep hollësi policia.