Vendosni fjalën kyçe....

Basha, Berisha e hipokrizia me realitetin e ri


Nga Klodian Tomorri

Të gjithë ata që i vërsulen Bashës sot duke e quajtur tradhëtar në një farë mënyre e dinë dhe vet që bëjnë hipokrizi. Basha ka bërë me mijëra gabime/zullume/tradhëtira (quajini si të doni) në krye të PD-së, por të paktën në këtë rast jo. 

Secili prej atyre që e quajnë Bashën tradhëtar sot do merrte të njëjtin vendim po të ishte në vendin e tij. Të gjithë pa përjashtim. Kush luan dam e di që ka një moment kur të thonë hidhu me detyrim dhe duhet të hidhesh. Pastaj kur e akuzojnë dhe ish-ët që kanë marrë lekë nga Rama, aty ishte maja e hipokrizisë.

A është në të drejtën e tij Berisha të kërkojë marrjen e PD-së sërish? Plotësisht. Është një nga të drejtat themelore të njeriut, liria për t’u zgjedhur. Por ajo që do e pësojë është PD-ja, e cila do çahet. Kjo është një situatë, ku çfarëdo veprimi që të bëjë Basha ose Berisha, çon ujë në mullirin e Edi Ramës. PS nuk ka për të patur më kundërshtar peër 30 vitet e ardhshme. Ndoshta më shumë. Pas Ramës do vijë Zaho.

A kishte zgjidhje më të lehtë Basha? Në planin personal Po. Të jepte dorëheqjen. Por në planin e partisë kjo nuk do të ndryshonte asgjë. PD sërish do të demtohej. Për më tepër ai që do vinte pas Bashës, do gjendej përpara të njëjtit vendim. Hidhu me detyrim. E nëse do dilte ndonjëri që nuk do hidhej, PD do listohej krahas partisë së Mullave atje në Afganistan.

A është e padrejtë ajo që po i bëhet Berishës? A mund të jetë pasojë e një lobimi korruptiv që ka ndikim deri në Departamentin e Shtetit. Tërësisht e mundur. Por ky është fakt i ndodhur tashmë dhe duhet të luash sipas realitetit të ri.

A kishte zgjidhje më të lehtë Berisha? Po. Mund të dilte vetë i pavarur në Parlament derisa kjo çështje të merrte zgjidhje. Nuk të duhet partia për të mbrojtur interesin kombëtar apo për të bërë betejat e tua në Kuvend. Por Berisha nuk e pa të arsyeshme këtë. Prapë është e drejta e tij plotësisht legjitime.

Ndërsa muhabetet e sovranitetit pastaj janë thjesht për garniturë. Po kur u bë rruga Durrës-Kukës ishte sovrane qeveria e Shqipërisë?

Shqipëria nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të jetë aleate e SHBA-ve. Në vendimet e mëdha gjeopolitike është mire që të jesh aleat me të fortët se sa të kruash veten me sovranizmin bosh. Njerëzit i harrojnë kollaj përfitimet. Por po të ishte për sovranizmin e kombit tonë të fuqishëm, ndoshta tani do e kishim Milosheviçin në Tropojë. Kaq e thjeshtë është.