Vendosni fjalën kyçe....

Prapaskenat e shpronësimit të “Sarajeve”


Nga Artan Lame*

Që dje në mesnatë kam ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e rënies së zjarrit tek godina historike e Sarajeve në qendër të Tiranës. Më komunikuan veprimtarë të shoqërisë civile, më kontaktuan gazetarë, të cilët dëshironin të dinin më shumë rreth situatës në atë objekt. Kjo gjë që dje natën, por edhe sot gjatë paradites.

Sot paradite po ndjek mediat dhe shoh të bëhen lloj-lloj interpretimesh, të cilat jam i prirur të besoj se bëhen me shqetësimin e përbashkët për mbijetesën e atij monumenti të çmuar.

Që përpara rreth dy vjetësh, kur planifikoheshin projektet në kuadër të 100-vjetorit të Tiranës Kryeqytet, m’u kërkua mendim nga Bashkia Tiranë për disa objekte që mund të shpronësoheshin për t’u vënë në dispozicion të qytetit si destinacione kulturore. Pa dashur të nxjerr sekrete të tjera, midis tyre ishte edhe objekti i njohur si Sarajet. I thashë Erionit që isha shumë entuziast për atë gjë dhe se isha gati për çdo kontribut që do kishin nevojë për t’i dhënë udhë këtij projekti.

Më pas, Bashkia së bashku me Qeverinë, filluan procedurat aspak të lehta për shpronësimin e kësaj godine. Them “aspak të lehta” se pronarët e godinës nuk besoj se do të ishin të kënaqur nga kjo zgjidhje. Ata do të kishin dashur që aty të ndërtohej dhe, fitimi që do të nxirrnin nga ndërtimi, ishte shumë më i madh sesa paratë që do të merrnin nga shpronësimi. E drejtë e tyre kjo, por nga ana tjetër edhe shoqëria ka të drejtën e ruajtjes së kujtesës historike.

Procedurat e shpronësimit, me sa jam në dijeni, janë në fazën e përmbylljes së tyre dhe ndoshta nga dikush mundësia e djegjes është parë si mundësi e fundit për ta ndërprerë këtë proces. Them “nga ndokush” pasi ajo godinë (si shumica e pronave të vjetra shqiptare) ka një mori bashkëpronarësh, ndër të cilët ka edhe nga ata që do të donin që trashëgimia e të parëve të tyre të përjetësohej në shërbim të qytetit, por ka edhe të tjerë që nuk bëhen merak për këtë, por do donin që të merrnin pjesën e tyre në një ndërtim hipotetik.

Nuk më takon mua t’i vë gishtin kujt për këtë, por me bindje them se në këtë rast (dhe të paktën për dy godina të tjera, që po ja lë Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë kënaqësinë t’i bëjnë publike) Bashkia dhe Qeveria kanë bashkëpunuar për t’ia siguruar qytetit si objekte kulturore.

Meqenëse Zoti në qiell dhe zjarrfikset në tokë, ia dolën ta shpëtojnë godinën e Sarajeve, tani s’na mbetet veç të mendojmë se çfarë duhet ndrequr në dispozitat e ligjit të Trashëgimisë Kulturore, që të shkurajohen në të ardhmen ata që përpiqen t’i zgjidhin me pishtar në dorë problemet midis të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të shqiptarëve për të patur kujtesë historike.

Pak Histori.

Godina ka qenë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga familjet feudale të Tiranës, në kuadër të gjithë kompleksit të banimit sinjoril në zonën e Kalasë së Tiranës.

Në vitet e Luftës I Botërore, godina u rekuizua nga ushtria austro-hungareze, që vendosi aty një pjesë të trupave të saj.

Më pas, në vitet ’20, me vendosjen e mardhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, godina u kthye në seli e Legatës Amerikane, në pritje të ndërtimit të selisë së re që kanë edhe sot.

Pas largimit të amerikanëve, godina shërbeu në funksion të Bibliotekës Kombëtare, nga vitet ‘30 deri rreth vitit 1955.

Më pas, në fillim të viteve ‘70 në atë godinë u vendos Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili qëndroi aty deri në vitin 2001, kohë në të cilën me vendim gjykate dhe vendim të kthimit të pronave, Instituti u nxorr për zhelesh jashtë, për t’ia kthyer godinën ish-pronarëve. Do kishte qenë e udhës që shteti t’i kishte shpronësuar që në atë kohë pronarët, por kjo nuk u bë.

Më pas, për disa vjet godina hyri në udhën e degradimit, proces i cili u ndërpre për disa vjet nga një sipërmarrës shqiptar, i cili e mori me qira nga pronarët dhe e ktheu në restorant. Mbaj mend që në atë kohë më ka thirrur ky biznesmen mua dhe Tan Shkrelin dhe i dhamë disa ide për mënyrën e restaurimit. Madje edhe emrin që e njohin sot të gjithë, Sarajet, ja propozuam ne.

Më pas, ndoshta nga mosmarrëveshjet midis pronarëve, ky biznesmen u largua dhe objekti hyri sërish në rrugën e degradimit dhe ëndrave me pishtar, nga e cila besoj se do të dalë përfundimisht këto ditë me përfundimin e procedurave të shpronësimit.

*Titulli redaksional. Origjinali “Sarajet”.