Vendosni fjalën kyçe....

Kadilli: Ne jemi Afganistan për vete


Pas një thellimi mbi situatën në Afganistan, Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kryetar i Partisë Demokratike ka dalë në një konkluzion të fortë. “Ne jemi Afganistan për vete”, shkruan Kadilli.

Po pse e mendon ai këtë?

“Në 30 vjet ne kemi të njëjtat dështime me institucionet. Në 30 vjet shqiptarët vazhdojnë të rendin drejt aeroporteve dhe kufijve, njësoj si afganët. Në 30 vjet, shqiptarët rreshtohen si tifozë pas lidershipit, pas zotave të partive tona. Zgjedhjet e korruptuara, institucionet e korruptuara, drejtësia e korruptuar ndodh nga korruptimi politik. Prej monopolizinit të pushtetit politik, fillimisht në partitë politike dhe mandej në qeveri. Politika e korruptuar prej kohësh i shërben vetëm vetes.”, thekson demokrati.

Sipas tij debati mbi emigrantët afganë nga njerëzit e thjeshtë që janë shpesh edhe vetë emigrantë është një shëmti. “Por, po aq shëmti është dhe mburrja e politikanëve që marrin pozën e faktorit të rëndësishëm për aleatët. Të dyja palët, njerëzit e thjeshtë dhe politikanët, harrojnë se ne kemi dramën tonë afgane. Ne jemi Afganistan për vete.”, thotë Kadilli.

Kjo dramë, sipas tij, “ndodh edhe nga raporti oportunist i qytetarit me zotat e lojës politike që i përkëdhelim duke i quajtur “lider””.

“Jemi ne, brenda apo jashtë partive politike që ua dorëzojmë lehtësisht dhe me gëzim vullnetin tonë politik “liderëve” partiak. Jemi në që votojmë kriminelë. Jemi ne që votojmë dhe rivotojmë politikanë të korruptuar. Jemi ne që përdorim dy standarde. Tjetër për vete dhe tjetër për kundërshtarin. Jemi po ne që, edhe kur jetojmë jashtë prej dekadash, vazhdojmë të grindemi në rrjete sociale për zotat tanë politikë…Zotat politik presin raportet dhe deklaratat e ndërkombëtarëve si karburant politik. Njerëzit e thjeshtë, për të justifikuar oportunizmin vrasës, presin drejtësinë të na e bëjnë amerikanët. Ekonominë të na e rregullojnë europianët. Qeveria nxiton të pompojë në media si “urbi et orbi”, ndërkombëtarët cdo gjysëm fraze që justifikon veprimet e saj. Opozita ankohet për amerikanët që mbajnë në pushtet Ramen.”, shkruan më tej, duke shtuar në fund se duhet mbrojtur demokracia brenda partive dhe se nuk duhet pritur nga të tjerët sepse Amerika nuk mjafton.