Vendosni fjalën kyçe....

Mero Baze: Sali Berisha po përpiqet të imitojë Che Guevarën


“Sali Berisha, ngjan sot një njeri që po lufton për të shpëtuar SHBA dhe botën nga “klika” Biden -Blinken” dhe përfaqësuesja e tyre në Tiranë Yuri Kim. Ai po përpiqet të imitojë Che Guevarën për një revolucion mbarë botëror kundër SHBA, me ndryshimin e fortë se Che kishte parime të gabuara dhe ideale të mëdha, kurse ky: halle të mëdha, ngaqë nuk ka asnjë parim.”, ky është krahasimi që bën Mero Baze për ish-kryeministrin Sali Berisha pas konferencën së djeshme për shtyp të Berishës.

Sipas tij rezultatet e tanishme tregojnë se Sali Berisha deri tani po bën revolucion vetëm në “gotën” e vet, në Partinë Demokratike.

“Ai po terrorizon lidershipin e kësaj partie, duke marrë përditë e më shumë pozicione radikale, që ata të mos kenë më shans të jenë neutral duke e konsideruar një gjë pa shumë rëndësi këtë debat. Sali Berisha bëri thirrje për një kryengritje kundër SHBA në Tiranë dhe u betua që do t’i shkojë këtij revolucioni deri në fund, dhe askush nga PD nuk e kundërshtoi. Lulzim Basha ka fikur telefonin dhe i vetmi njeri diabolik që po kënaqet nga gjithë kjo skenë është Tritan Shehu. Të tjerët po heshtin.”, thekson Baze.

Bojkoti i shtypit ndërkombëtar ndaj Berishës mendon Baze është “ilustrim i parëndësisë së tij, dhe reagimit vulgar që ka ndaj një vendimi që jo vetëm e meriton, por që po meriton dhe më shumë se kaq, pas kësaj.”

“ Vetëm për demokratët shqiptarë, ata të vërtetët, që kanë besuar tek Berisha e SHBA njëkohësisht, është një lajm i zi, pasi ata po përballen me një gënjeshtër 30 vjeçare, që quhet Sali Berisha.”, përfundon Baze.