Vendosni fjalën kyçe....

Duke u shtrënguar duart atyre që spastruan është e kundërta e fqinjësisë së mirë


Nga Arbër Zaimi

Projekti i parë kombëtar shqiptar, Lidhja e Prizrenit, mblodhi shqiptarë anembanë vilajeteve e nga gjithë religjionet, me urgjencën për t’u mbrojtur nga praktikat spastruese e gjenocidale që po praktikonte Serbia në fund të viteve 1870 në sanxhakun e Nishit. Ai vend që dikur kish shumicë dërrmuese shqiptare, sot s’ka.

Pas marrjes së Kosovës e trojeve të tjera në Maqedoni e Mal të Zi, Serbia zuri të ndiqte synimin e “zgjidhjes finale”. Çubrilloviçi në platformën e tij përdor për shqiptarët të njëjtat terma që nazistët përdornin për hebrejtë. Serbia zu të përzinte shqiptarë drejt Turqisë, por, siç përmend edhe Çubrilloviçi, duke korruptuar Tiranën e viteve 1920 e 1930, arriti të shpërngulte shqiptarë Kosove edhe në Shqipëri. Nga ajo kohë janë fshatrat me kosovarë në Kavajë, Fier, etj.

Pas Luftës II Botërore, kur Jugosllavia e hegjemonizuar nga serbët e shkeli dhe e prishi vendimin e Konferencës së Bujanit sipas së cilës Kosovës do i njihej vetëvendosja pas çlirimit, filloi edhe dhuna rankoviçiane për “çarmatosje” dhe shtypje brutale të lëvizjes shqiptare për liri, por edhe vazhdoi zhvendosja masive me synim spastrimin e mbi 250.000 shqiptarëve drejt Turqisë, pas marrëveshjeve Tito-Qyprilli. Në vitet ‘80 shumica e të burgosurve politikë në Jugosllavi ishin shqiptarë. Aq shumë e deshi Jugosllavia socialiste Kosovën, sa që, në 1945 të ardhurat për frymë në Kosovë ishin 3 herë më të ulëta se në Serbi, ndërsa në 1989, 7 herë më të ulëta.

Pas rënies së komunizmit, Serbia e Milosheviçit zu të shkatërrojë e të privatizojë industritë e Kosovës, si dhe të shkelë haptazi të drejtat e tyre, duke krijuar situatën ku shqiptarët në Kosovë vendosën të bojkotojnë tërësisht pjesëmarrjen dhe punën në institucionet shtetërore. Gradualisht përshkallëzimi i dhunës e diskriminimit brutal serb shkaktoi kundërpërgjigjen e shqiptarëve, me Jasharët e lëvizje të tjera që çuan deri në krijimin e UÇK-së.

Serbia jo vetëm që sulmoi me gjithë armatimet e rënda UÇK-në, por vrau mbi 12.000 civilë, nga të cilët mijëra fëmijë. Ushtria e policia serbe dhunoi sistematikisht mbi 20.000 njerëz, shumica gra, por edhe burra e fëmijë. Mbi 130.000 shtëpi u dogjën, e mijëra prona publike e private u shkatërruan. Ende mbi 1600 njerëz të rrëmbyer nga ushtria e policia serbe, nuk dihet ku janë e ç’ka ndodhur me ta.

Në vitin 2021, Komiteti i Helsinkit në Beograd raporton se Serbia ende vazhdon të spastrojë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. President është ish-ministri i komunikimit dhe informacionit i Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç.

Serbia në 10 korrik nënshkroi FTA me Unionin Euroaziatik të Putinit. Në katër vitet e fundit ajo ka buxhet për armatim tetë herë më të lartë se Kosova e Shqipëria bashkë. Ajo është vendi i parë dhe i vetëm evropian që blen armatim e teknologji ushtarake kineze (dronë etj.)

Vuçiçi lajmëroi sot se ka punuar me Rusinë që 10 vende të Afrikës e Azisë ta çnjohin Kosovën.

*****

Një vendi të tillë Rama ia hap rrugën e ia normalizon imazhin. Kinse për të shitur shalqinj e domate?

Bilanci tregtar, ashtu si ai historik, i Serbisë me Shqipërinë është dëmtues rëndë për këtë të fundit.

Harroni të shkuarën? A e harruan armenët të shkuarën e para 120 viteve? Jo, sepse sivjet Amerika ua njohu pretendimin për gjenocid.

A e harron një vend aq i fortë e aq funksional nga aspekti shtetëror dhe ekonomik, siç është Izraeli, të shkuarën? Edhe pse ka patur hebrej që nuk kanë jetuar fare në Evropë në kohë të Holokaustit, sepse prej shekujsh ishin psh. në Amerikë, as që bëhet fjalë të mbahet qëndrim prej tyre duke kërkuar miqësi me harresë të Holokaustit, përveç ndonjë individi kontrovers e provokator, ekzistenca e të cilëve shërben sa për të testuar demokracinë.

Harron krimet që i ka pësuar në kurrizin e kombit vet, vetëm ai që ka pranuar përfundimisht dështimin.

Shqiptarët dhe serbët janë fqinjë. Është shumë normale që të duash e të punosh që të kesh fqinjësi të mirë, dhe fqinjët duhen pranuar mesvedi.

Mirëpo asnjë fqinji nuk mund t’i pranohet strehimi në shtëpinë e vet të kriminelit, përdhunuesit, vrasësit. Se nëse miratohet e pranohet edhe strehimi i kriminelit, atëherë një gjë është e sigurt, fqinjësinë në atë lagje do ta marrë lumi. Denoncimi dhe dënimi i kriminelëve janë hapi i parë nëse vërtet duam fqinjësi të mirë me serbët në të ardhmen. Kjo që po bën Rama, duke ua shtrënguar duart atyre që spastruan e ende spastrojnë, është e kundërta e punës për fqinjësi të mirë!