Vendosni fjalën kyçe....

Ndalohen babë e bir në Krujë, dyshohet se mbollën kanabis në një pronë publike


Babë e bir janë arrestuar në Krujë.

46-vjeçari me iniciale L.L. dhe 17-vjeçari me iniciale K.L, banues në fshatin Zallë të Krujës akuzohen për kultivim kanabisi.

Sipas policisë, gjatë kontrollit në një pronë publike janë gjetur fidanë me kanabis që dyshohet se u përkasin atyre.

Njoftimi

“Vijojnë kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariateve në varësi, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në Krujë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Zall, Krujë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasit L. L., 46 vjeç dhe K. L., 17 vjeç, banues në fshatin Zallë, Krujë, pasi dyshohen se kanë kultivuar fidanët e dyshuar cannabis sativa që janë gjetur gjatë kontrollit në një pronë publike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.”