Vendosni fjalën kyçe....

Petro Koçi bën deklaratën e fortë: Bota e krimit në bashkëpunim me LSI-në ndikoi në zgjedhjet në Fier


Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi ishte sot në SPAK për të dhënë dëshminë mbi deklaratën e bërë disa ditë më parë se bota krimit po merr tendera në Fier.

Në dalje nga SPAK, Koçi bëri një deklaratë të fortë duke akuzuar e bota e krimit në marrëdhënie me LSI-në ndikuan në zgjedhjet e fundit.

Duart e krimit janë përfaqësues të botës së krimit. Në Fier është një botë goxha e konsoliduar. Unë kam guxuar e kam denoncuar shumë herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar për një shkarkim nga puna dhe mesa di ky gjyqtar është shkarkuar. Unë jam politikan dhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente. Mendoj se sensibilizimi i SPAK është i nevojshëm.

Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduar me politikën. Mund t’iu them që në marrëdhënie me LSI ndikuan në zgjedhjet e fundit. Kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit”-deklaroi Koçi.

Më tej ish-zëvendësministri i mbrojtjes tha se SPAK është i lirë të veprojë ndërsa shtoi se fakti që njerëz të botës së krimit hyjnë më kollaj në punë se njerëzit e thjeshtë tregon se janë influentë.

SPAK është i lirë dhe i detyruar nga ligji të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin dhe bashkëpunon me krimin. Unë nuk jam as prokuror, as gjyqtar, dhe as në Policinë e Shtetit, por kam një përvojë si ish-ministër i Rendit dhe për të gjitha këto që fola jam shumë i bindur. Unë nuk jam hetues që të kërkoj dokumente konkrete dhe të jap emra. Fakti që njerëzit e kësaj bote hyjnë më kollaj në punë se njerëzit e thjeshtë, tregon se janë më influentë”-tha Koçi.