Vendosni fjalën kyçe....

La ndezur muzikën përtej orës policore, gjobitet dhe procedohet pronari i një lokali në Vlorë


Gjobitet me 1 milionë lekë pronari i një biznesi në Vlorë, pasi kishte lënë hapur lokalin e tij, madje edhe muzikën ndezur përtej orarit të lejuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Personi me inicialet J.SH., është gjobitur me shumën e lartpërmendur dhe është proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

“Vijojnë kontrollet nga Policia e Vlorës, për monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative, administratori një subjekti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat antcovid të vendosura nga organet kompetente.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se ora policore nis në orën 00:00 dhe zgjat deri në 06:00 të mëngjesit, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve në kuadër të masave për mbrojtjen nga Covid-19. Ndërsa muzika nëpër lokale nuk lejohet përtej orës 22:00.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anti-covid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.