Vendosni fjalën kyçe....

I dha kunatit 12 tendera me vlerë 2.7 milionë lekë, çohet për gjykim dosja e ish-zyrtarit të burgut ‘313’


Prokuroria ka dërguar për gjykim çështjen ndaj përgjegjësit të Logjistikës në burgun ‘313’ në Tiranë, Florin Ahmetaj.

Ai akuzohet për abuzime me tenderat.

Sipas prokurorisë, Ahmetaj, i ka dhënë tendera në vlerën 27 milionë lekë të vjetra kunatit të tij. Në një periudhë 14 mujore, kunati i tij ka përfituar 12 tendera.

“I pandehuri Florin Ahmetaj, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Logjistikës në IEVP – në ‘Jordan Misja’, Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla në këtë IEVP, ka krijuar në datën 28.01.2019 një person tregëtar fizik, të cilin e ka regjistruar në emër të kunatit të tij.

Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si Shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në ‘Jordan Misja’ dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundraligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP ‘Jordan Misja’.

Megjithëse një subjekt tregëtar i ri dhe pa eksperiencë, brenda një periudhe 14 mujore subjekti tregëtar, person fizik, ka fituar 12 procedura prokurimi dhe blerje, me vlerë rreth 2,7 milion lekë (të reja), të organizuara nga ana e IEVP ‘Jordan Misja’, Tiranë.” – thuhet në dosjen e prokurorisë.