Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehen në Francë eshtrat e një prej gjeneralëve të preferuar të Napoleonit


Arkivoli u prit nga një roje nderi i veshur me uniformën e kohës së Napoleonit

Eshtrat e një prej gjeneralëve të preferuar të Napoleonit janë kthyer në Francë, dy vjet pasi u zbuluan në Rusinë perëndimore.

Skeleti me një këmbë i Charles-Étienne Gudin u gjet në një park nën themelet e një piste vallëzimi. Identiteti i tij u konfirmua nga ADN-ja, shkruan BBC.

Gjenerali Gudin, u godit nga një top afër qytetit të Smolensk kur ishte 44 vjeç, gjatë pushtimit francez të Rusisë në vitin 1812.

Atij iu desh t’i amputohej këmba dhe vdiq nga gangrena tre ditë më vonë.

Vetëm zemra e tij u kthye në Francë për t’u varrosur.

Të martën, arkivoli i Gudinit u prit zyrtarisht nga ministri i çështjeve të veteranëve francezë, me një roje nderi të veshur me uniformën Napoleonike.

Gudin thuhej se ishte një nga gjeneralët e preferuar të Napoleonit

Një aristokrat nga lindja, Gudin ishte një veteran i të dy luftrave Revolucionare Franceze dhe Napoleonit.

Ai ndoqi të njëjtën shkollë ushtarake si Napoleoni dhe besohet të ketë qenë një nga gjeneralët e preferuar të perandorit francez. Ai udhëhoqi një sulm kundër ushtrisë ruse në qytetin e Smolensk gjatë pushtimit fatkeq të Napoleonit në Rusi, gjatë së cilës ai humbi jetën.

Eshtrat e Gudinit u nderuan në Moskë në muajin Qershor

Kërkimi për eshtrat e Gudinit filloi në maj të vitit 2019 dhe u drejtua nga Pierre Malinoëski, një historian me mbështetje nga Kremlini.

Studiuesit përdorën kujtimet e Louis-Nicolas Davout, një tjetër gjeneral francez i epokës Napoleonike, i cili organizoi varrimin e Gudinit dhe përshkroi vendin.

Ata më pas ndoqën një tjetër dëshmi të dëshmitarëve, e cila i drejtoi ata drejt arkivolit prej druri.

Mbetjet e Gudinit u zbuluan në vitin 2019

Megjithëse Grande Armée (Ushtria e Madhe) e Napoleonit me 400,000 njerëz kishte përparuar me shpejtësi në Rusi dhe kishte kapur Moskën, ajo u detyrua të tërhiqej gjatë dimrit të ashpër.

Në fillim të këtij viti, trupat e gjetur para dy vjetësh të 120 ushtarëve francezë dhe rusë, tre gra dhe tre djem adoleshentë që vdiqën gjatë tërheqjes franceze nga Moska u varrosën në një ceremoni në Rusinë perëndimore. Tre gratë mendohet se kanë siguruar ushqim dhe ndihmë të parë për trupat, ndërsa djemtë shërbenin si bateristë.