Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët e Traumës përsëri në protestë: Të mos na bëhet gjyq popullor, dy kolegët të lihen të lirë derisa të gjenden prova


Mjekët e Spitalit të Traumës kanë dalë për të dytën ditë radhazi në protestë për arrestimin e dy kolegëve të tyre, që akuzohen për marrje rryshfeti.

Mjekët e konsiderojnë të padrejtë arrestimin e dy kolegëve duke e konsideruar shkelje të integritetit të bluzave të bardha masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

“Mbajtja e tyre në ‘arrest me burg’ është bërë pa prova dhe thjesht në dyshime. Pra, deri sa të marrë vendime. Kjo drejtësi është duke shkelur të drejtat e qytetarëve. Ndoshta edhe për shkak të presionit që kanë mbi drejtësinë. Ne dalim vetëm për të qenë solidarë me atë kolegë deri në momentin kur vërteton provat. Sindikata e dënon aktin e mitmarrjes por deri në momentin kur do të ndodhë kjo gjë nuk mund dhe nuk duhet që këta persona të qëndrojnë në burg. Për momentin po qëndrojnë pa shkak në burg.”-tha mjeku Gentjan Stroni.

Ai kërkoi që të mos bëhet gjyq popullor për bluzat e bardha. Stroni përmendi edhe faktin që mungesa e mjekëve në Shqipëri është e madhe dhe për këtë arsye, sipas tij mjekët duhet të lihen të lirë të bëjnë punën e tyre derisa drejtësia të gjejë prova.

“Të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Të gjenden prova dhe pastaj të mbahen në burg. Drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare. Mos harroni që problematika ekziston që këta mjekë janë një forcë pune, një aset i mjekësisë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë opracion cdo ditë.

Mos harroni dhe tjetrën që pas Luftës së Dytë Botërore mjekët që ishin kriminelë kishin kryer eksperimente me trupin e qytetareve nuk i arrestuan e as i dënuan por i çuan të punonin.

Ne këtu kemi mungesa mjekësh e i fusim në burg pa pasur prova. Ja ku kemi nga historia një mënyrë ku mund të referohemi.

Po mbahen të burgosur dy persona që nuk e kanë vendin aty, nëse drejtësia e vërteton, kushdo nga ne duhet të merret me drejtësinë nëse mendon që është bërë një akt korruptiv por deri sa të vërtetohet ky person s’ka rrezikshmëri sociale, atëherë pse mbahet në burg?”- tha Stroni.