Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim përflitet në medie si kandidate për të shkuar ambasadore e SHBA-ve në Korenë e Jugut


Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim, është një ndër emrat që po përfliten në mediet ndërkombëtare për t’u bërë diplomatja e re amerikane në Korenë e Jugut.

KBS World, një medie koreane raporton se për momentin në Korenë e Jugut është emëruar si zv.ambasador diplomati i karrierës amerikane Chris Del Corso.

Del Corso aktualisht mban detyrën e drejtorit ekzekutiv të Byrosë së Çështjeve të Hemisferës Perëndimore në Departamentin e Shtetit.

Del Corso, gruaja e të cilit është me origjinë Koreane, më parë ka shërbyer në Korenë e Jugut për rreth katër vjet. Ai thuhet se do të zëvendësojë Robert Rapson, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-ve që kur ish-ambasadori amerikan Harry Harris dha dorëheqjen në fillimin e administratës së Joe Bidenit në janar.

Por ndërkohë, kurioziteti në mediet e Koresë së Jugut është i madh se kë do dërgojë presidenti Joe Biden në vendin e tyre. Dhe një nga dy emrat më të përfolur është pikërisht ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim.

“Ambasadoria amerikane në Shqipëri Yuri Kim, gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA-në si ambasadore si dhe ish-komandanti i forcave amerikane në Kore, Vincent Brooks thuhet se janë midis atyre që konsiderohen të marrin postin e diplomatit më të lartë amerikan në Korenë e Jugut.”- raporton e njëjta media.