Vendosni fjalën kyçe....

60 vite RTSH, më 29 prill 1960 filloi transmetimi i parë televiziv në Shqipëri


Sot Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) feston 60-vjetorin e themelimit. Si radio, transmetimi i parë u krye në 28 nëntor 1938 ndërsa si televizion kamerat u ndezën në datën 29 prill 1960.

Më 29 prill 1960 filloi nga puna qendra eksperimentale e televizionit Shqiptar. Fillimi i transmetimeve shënon jo vetëm lindjen e Televizionit Publik Shqiptar, TVSH, por edhe fillesat e tregut televiziv shqiptar.

6 dekada më parë, për shikuesit e kryeqytetit erdhi përshëndetja e parë përmes ekranit dhe ishte pikërisht ajo përshëndetje, që shënoi edhe fillimin historisë që mban emrin Televizioni Shqiptar. Ky emër mësoi hap pas hapi të jetë bashkëudhëtar i ne të gjithëve.

Në ditën kur startoi transmetimi, guri i parë i themelit ishte një film për fëmijë, më pas një dokumentar, një koncert e më tej një film, pra që ditën e parë ky ekran i magjishëm, kishte nga një dhuratë për të gjithë brezat.

Gjithçka filloi në një banesë të thjeshtë, nga ku përshëndeti imazhi i parë i ekranit, Stoli Beli. Pjesë e fillimit të madh ishin Beqir Derhemi, Ilia Capo, Jani Mele, Stoli Beli, Vezir Hoxha, Riza Proseku dhe pranë tyre Emil Plumbi, Liri Celi, Sali Mensori, Petrit Qylafku, etj. Programi fillimisht ishte i thjeshtë, i shoqëruar me pamundësinë për t’u regjistruar.

Në vitin 1963 u transmetua edicioni parë i lajmeve, ndërsa në vitin 1965 kamera e vetme e TVSh u zhvendos në stadium për të transmetuar një ndeshje futbolli.

Vendimi i qeverisë së kohës për kalimin e Televizionit nga faza eksperimentale në programe të rregullta ditore, sjell si pasojë rritjen e shpejtë të numrit të punonjësve: djem e vajza nga universiteti apo Instituti i Lartë i Arteve, pa përvojë në gazetari dhe regji televizive, investuan pasion, ambicie dhe dëshirë për të krijuar, etje për të mësuar nga përvojat jashtë vendit dhe përkushtim. Në vitin 1966 Qendra Eksperimentale e Televizionit transmeton pjesën e parë të ndeshjes së futbollit “Partizani – Dinamo”.

Në vitin 1971 fillon transmetimi i programeve të Qendrës së re të TVSh në të gjithë territorin e vendit. Në vitin 1972 Televizioni Shqiptar transmeton për herë të parë një ndeshje futbolli të marrë nga RAI 1. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *