Vendosni fjalën kyçe....

Për lekë


Nga Sokol Shameti

Policia sigurisht që është e fundit që mund të përgjigjet. Ajo është si të gjithë, më shumë një spektatore e çmeritur për çka po ndodh këto ditë në Shqipëri në formën e një shthurjeje të përgjithshme që ti e sheh në mënyrën skizofrenike sesi udhëtohet nëpër rrugë në këtë vend, sesi negociohet për ndarje territoresh shërbimi turistik, si vetëhidhen mbi tanke-vetura Mihalët e bregut, etj etj.

Ky agresivitet kamikaz dhe gatishmëria për ta zgjidhur dhunshëm gjithçka, qoftë ajo një mosmarrëveshje për rërën e plazhit apo një vonesë në autostradë nga vetura e ngadaltë që të ka zënë korsinë, në fakt nuk është rezultat i dobësisë së policisë.

Sepse, çfarë dobësie po tregon policia? Çfarë ankese artikulohet ndaj saj? Që nuk po tregon një brutalitet i cili ta tejkalojë brutalitetin e përgjithshëm? A jemi seriozë? Kur qenkan zbutur ata që ua kanë treguar shqiptarëve qysh me Klodian Rashën se s’ta përtojnë (nëse të kanë në dorë)? Në fakt Policia thjesht s’ka gjë në dorë.

Ky far-west këtu në perëndimin e largët të Ballkanit duhet lexuar ashtu siç është.

Nga njëra anë, gëlon një varfëri e atillë që ua ka vështirësuar jetën aq shumë njerëzve saqë ua ka hequr atyre frikën se burgu apo deri vdekja do jetë diçka më e keqe se jeta që po jetojnë. Që varfëria është arsye themelore për këtë shpërthim dhune, këtë e dëshmon edhe frika që ndjejnë njerëzit këtu nga varfërimi.

Varfëria ku ndodhen sot shumica e shqiptarëve është aq e tmerrshme në kufijtë e horrorit, saqë ajo u kall datën e i shtyn drejt marrëzive ata që e shohin si dëshmitarë okularë formën e saj çnjerëzore në këtë vend dhe i tremben mundësisë që të përfundojnë edhe vetë në të.

Aq e thellë dhe e papranueshme është kjo varfëri që shohin sot kudo rreth vetes ata që ende nuk kanë rënë atje, saqë çdo veprim që mund t’i dërgojë ata në këtë mjerim, i shtyn të luftojnë me gjak për të mos e provuar atë.

Varianti afrikan i varfërisë që sundon në Shqipëri, ai që nuk shihet kurrë në televizion, i bën ata që kërcënohen prej saj të mos e kenë për gjë vdekjen.

Alternativa e varfërisë, e humbjes së gjithçkaje që mund të kesh realizuar falë kursimeve të një emigracioni robtues a një kredie të rëndë, e shoqëruar nga ideja se këtu duhet t’i dalësh zot vetes përndryshe drejtësi s’ke ku gjen, këto pra përbëjnë motiv të mjaftueshëm që njëri të rrokë kallashin e të bëjë hatanë për një rryp rëre, për pesë shezlongë ose për pagesën e një nate në hotel.

Policia s’ka pra pjesë këtu. Faj profesional s’ka. Moral, po. Fajin e kanë ata që kanë pushtet të prodhojnë ndonjë ndryshim në këtë rend ekonomik që i varfëron të varfërit, e prapë s’bëjnë gjë por rrinë si tutkunë.

Nga ana tjetër arroganca e pasurisë së momentit, pushteti i parasë dhe vetëdija se nëse e radhit veten në katin e epërm të rendit ekonomik, atëherë kjo automatikisht nënkupton se ti ke natyrshëm një lloj avantazhi, ke diçka më të mirë se të tjerët.

Sepse ty të ka ecur e të tjerëve jo, pra ti je i veçantë, diçka e ke ti që s’e kanë ata pabuksit aty poshtë se s’ka mundësi. E kësisoj, ti je i patrembur nga asgjë. Ti ke makinë 100 mijë euro, hotel në vijën e parë të plazhit, të thërrasin “shef”, pra je dikushi.

Si mund të kundërshtohesh, rivalizohesh, parakalohesh apo injorohesh ti? U bëmë gjë si këmbët e dhisë këtu? Policia s’ka pra pjesë këtu. Faj profesional s’ka. Moral, po. Fajin e kanë ata që kanë pushtet të prodhojnë ndonjë ndryshim në këtë rend ekonomik që i pasuron të pasurit, e prapë s’bëjnë gjë por rrinë si tutkunë.

Së fundi, e gjithë kjo llavë vullkanike tensioni shoqëror, facilitohet nga mungesa tashmë 30-vjeçare e një edukimi të atillë që t’i pajisë njerëzit me mekanizmin e duhur logjik për të kuptuar cilës klasë sociale i përkasin, për të bërë paqe me veten e për ta frenuar rrëmbimin e momentit me maturi.

Po ashtu për 30 vjet rresht modelet e suksesit që janë servirur nga industria e argëtimit e cila ka gllabëruar me sukses atë të informimit, përbëhet nga lloj lloj lapangjozësh e kopukësh, analfabetësh e megalomanësh.

Gjithçka në median tonë pasqyron rezultatin e pasurimit të “heronjve” në telenovela, videoklipe e dokumentarë, po asnjëherë mënyrën e këtij pasurimi. Vila me pishinë, veshjet firmato, makina me dyer që hapen si flatra dallëndysheje, çdo fundjavë në një resort të ri luksi, pjata ekzotike apo celulari i fundit, paraqiten si një dëshmi e të qenit “normal”.

Dhe sigurisht askush nuk është rehat me të qenit anormal në një “normalitet” të këtillë. Shkolla është katandisur qëllimisht në instrument analfabetizimi funksional masiv e s’ka arritur kurrë t’u thotë njerëzve se në fakt, anormalja është ajo që shitet për normë në televizor dhe instagram.

Se lekët s’e blejnë dot jetën e jeta s’është vetëm lekë.  Policia s’ka pra pjesë këtu. Faj profesional s’ka. Moral, po. Fajin e kanë ata që kanë pushtet të prodhojnë ndonjë ndryshim në këtë rend ekonomik që i padijëzon të paditurit, e prapë s’bëjnë gjë por rrinë si tutkunë.

E ç’të mos krisë pushka e të mos vlojë dajaku këtu?