Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania miraton ligjin e ri për t’u dhënë shtetësinë pasardhësve të viktimave të Nazizmit


Ligjvënësit gjermanë kanë miratuar ndryshimet që do ta bëjnë më të lehtë marrjen e shtetësisë nga pasardhësit e atyre që u larguan nga persekutimi nazist.

Sipas ligjit gjerman, njerëzve u është hequr shtetësia mbi baza politike, racore ose fetare mund t’u rikthehet atyre e po kështu edhe pasardhësve të tyre.

Por boshllëqet ligjore kishin parandaluar shumë njerëz të përfitonin.

Aktivistët thonë se lëvizja lejon shumë njerëz të rilidhen me trashëgiminë e tyre gjermane, veçanërisht në komunitetin hebre.

“Ne e pranojmë punën që populli gjerman ka ndërmarrë për të nderuar kujtimin e të humburve dhe atyre që vuajtën në Holokaust.”– tha Felix Couchman, kryetari i Grupit të Përjashtimeve të Nenit 116, i cili ka lobuar për këtë çështje për vite me radhë.

“Këto masa kanë qenë hapa të nevojshëm për të rindërtuar besimin.”- shtoi ai, citon BBC.

Edhe pse kushtetuta e pas luftës e Gjermanisë lejon rikthimin e shtetësisë, mungesa e një kuadri ligjor bëri që shumë njerëzve t’u refuzoheshin aplikimet e tyre.

Disa u mohuan sepse paraardhësit e tyre kishin marrë një shtetësi tjetër para se t’u hiqej shtetësia.

Për të tjerët ishte sepse ata kishin lindur nga një nënë gjermane, por jo nga një baba gjerman. Derisa të bëhej një ndryshim i ligjit në vitin 1953, shtetësia gjermane mund të kalonte vetëm nëse babai ishte gjerman.

Një dekret ligjor u miratua në vitin 2019 për të ndihmuar në mbylljen e këtyre boshllëqeve. Tani që ka kaluar dhomën e ulët të Bundestagut të Gjermanisë, me një shumicë të madhe, aplikantët e ardhshëm do të kenë një bazë ligjore më të fortë për apelimin e tyre.

Ligji përfshin gjithashtu ata që u privuan drejtpërdrejt nga shtetësia e tyre, por, duke pasur parasysh kalimin e kohës, pasardhësit do të jenë përfituesit kryesorë.

Ligji i ri ndalon gjithashtu natyralizimin e njerëzve të dënuar për veprime raciste, antisemitike ose ksenofobe.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me rregullimin e gjërave, ka të bëjë me faljen me turp të thellë.”– tha Ministri i Brendshëm Horst Seehofer në muajin Mars, kur qeveria miratoi projektligjin.“Është një fat i madh për vendin tonë nëse njerëzit duan të bëhen gjermanë, pavarësisht nga fakti që u morëm gjithçka paraardhësve të tyre.”

*Sipas Germany-Visa.org në gusht të vitit 2021, janë miratuar ligje të reja, duke e bërë më të lehtë për pasardhësit e viktimave naziste të kualifikohen për nënshtetësinë gjermane.