Vendosni fjalën kyçe....

SHBA projekton dhurimin e 55 milionë dozave të tjera të vaksinave kundër Covid-19


Shtëpia e Bardhë parashtroi planet për të dërguar 55 milionë doza të tjera vaksine kundër COVID-19 jashtë vendit, pjesa më e madhe e tyre për Amerikën Latine, Karaibet, Azinë dhe Afrikën.

Administrata e Presidentit Biden njoftoi të hënën se pjesa më e madhe e dozave do të shpërndaheshin përmes programit COVAX, duke përmbushur një zotim të Presidentit Biden për të dhuruar 80 milionë doza vaksine për vende të tjera.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi të hënën se administrata mund të mos jetë në gjendje të përmbushë zotimin e saj për t’i dhuruar dozat brenda muajit qershor, si rezultat i pengesave rregullatore. Zyrtarët e cituar nga agjencitë e lajmeve thanë se dozat janë gati, por dërgimi i tyre po vonohet nga kërkesat ligjore, logjistike dhe rregullatore në SHBA dhe në vendet përfituese, përcjell VOA.

Presidenti Biden foli në fillim të muajit për planet për të dhuruar 25 milionë dozat e para. Të hënën, Shtëpia e Bardhë dha detaje për 55 milionë dozat e tjera, ndër to 14 milionë doza për Amerikën Latine dhe Karaibet, 16 milionë doza për Azinë dhe 10 milionë doza për Afrikën.