Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Tiranës kthen kërkesën e Pjerin Ndreut për tu regjistruar si kryetar i Shoqatës së Bashkive


Gjykata e Tiranës, ka refuzuar njohjen e vendimit për zgjedhjen e Pjerin Ndreut, në krye të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Në vendimin e Gjykatës së e Tiranës evidentohen disa të meta nga mbledhja e kësaj shoqate duke e kthyer më pas kërkesën për regjistrimin e saj, duke kërkuar plotësimin e të dhënave që mungojnë, që lidhen kryesisht me llogaritjen e votave.

Gjykata ndër të tjera kërkon informacion për mënyrën se si është thirrur mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Përgjithshme, ku u vendos shkarkimi i Voltana Ademit nga ky post dhe emërimi në krye të Shoqatës së Bashkive, të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu:

“Cilët janë anëtarët që kanë kërkuar mbledhjen dhe në çfarë mënyrë kanë paraqitur kërkesën?”

“Nuk është e qartë së se si janë kryer njoftimet për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme.”

“Konkretisht, kush janë anëtarët që janë njoftuar?”

“Nuk është e qartë si janë llogaritur votat për shkak kuorumi dhe pjesëmarrje.”

“Për gjykatën, është e paqartë ku është zhvilluar mbledhja dhe a janë njoftuar anëtarët për vendin e zhvillimit të mbledhjes, a kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ose jo.”

Duke renditur këto argumente, gjykata i ka lënë afat kryebashkiakut Pjerin Nderu, në cilësinë e kërkuesit, të plotësojë të dhënat e munguara.

Në datën 8 qershor në mbledhjen e kësaj Shoqate u shkarkua Voltana Ademi në cilësinë e kryetares dhe u zgjodh Pjerin Ndreu.

Voltana Ademi e lidhi shkarkimin e saj me padinë që kjo shoqatë ka bërë për zgjedhjet lokale të vitit 2019 në të cilat opozita nuk mori pjesë dhe mazhoranca i kreu pa të.