Vendosni fjalën kyçe....

Rritet numri i bordeve të përhershme; Sa do të jenë pagesat për anëtarët e 4 këshillave të reja të qeverisjes qendrore


Ndryshon numri i bordeve, këshillave, komiteteve dhe komisioneve të përhershme që funksionojnë pranë institucioneve të qeverisjes qendrore.

Nga 65 borde të miratuara me vendimin e 2018-s, do të shtohen edhe 4 të reja të përhershme pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Pagat e drejtuesve të bordeve dhe anëtarëve të tyre do të jenë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë. Numri maksimal i pagesave do të jetë 4, 6 deri në 12 herë në vit. Ndryshimet në vendimin e 2018-s “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të  këshillave, bordeve ose  komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”, u botuan në Fletoren Zyrtare.

Sipas vendimit përkatësisht bordet e reja dhe pagesat e anëtarëve do të jenë: Komisioni për Shqyrtimin e Masave Administrative të Marra nga Institucioni Përgjegjës për Kontrollin Zyrtar të Ushqimit dhe Ushqimit për Kafshë. Pagesa për Kryetarin dhe 4 anëtarët do të jetë 10 mijë lekë secili (numri maksimal i pagesave do të jetë 12 në vit); Komisioni i Shqyrtimit të Masave Administrative të Marra nga Shërbimi Veterinar Shtetëror.

Pagesa do të jetë si për kryetarin dhe 4 anëtarët 10 mijë lekë secili (numri maksimal i pagesave do të jetë 12 në vit); Komitetet sektoriale të kornizës shqiptare të kualifikimeve (10 komitete sektoriale). Pagesa do të jetë si për kryetarin dhe 9 anëtarët 10 mijë lekë secili (numri maksimal i pagesave do të jetë 4 në vit); Bordi i Administrimit të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Pagesa do të jetë si për kryetarin dhe 8 anëtarët 15 mijë lekë secili (numri maksimal i pagesave do të jetë 6 në vit).

Bordet, këshillat, komitetet dhe komisionet e përhershme të njësive të qeverisjes qendrore sipas vendimit të 31 tetorit 2018, emërtohen organe kolegjiale dhe përbëhen nga përfaqësues të njësive të qeverisjes qendrore dhe nga përfaqësues të tjerë, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës.

Përfaqësues i njësisë së qeverisjes qendrore në këto organe emërohet punonjësi organik i njësisë. Punonjësit e emëruar në përbërje të organeve kolegjiale përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këto organe, sipas përcaktimeve që janë miratuar në vendim.

Emërtesa e çdo organi kolegjial, numri i anëtarëve në përbërje të tyre, numri maksimal i pagesave në një vit, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera, si dhe masa e pagesës së tyre, janë miratuar në vendimin e mëparshëm.

Nga buxheti i shtetit nuk financohen organet drejtuese të njësive të fondeve speciale, si dhe të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura./D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *