Vendosni fjalën kyçe....

Konjufca në Tiranë: Nuk mjafton të jemi 2 shtete fqinje të mira, por të sillemi si një komb i vetëm


Paraditen e sotme, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka nisur vizitën e tij 1 ditore në Tiranë.

Ai është pritur fillimisht nga homologu i tij, Gramoz Ruçi.

Në një konferencë të përbashkët, Konjufca dhe Ruçi floën mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ruçi theksoi se Shqipëria mbështet Kosovës e cila sipas tij është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia që po “glorifikon kriminelët e saj”.

“Serbia ka kryer gjenocid, ajo ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftë, ka fshehur kriminel dhe që nuk ka bashkëpunuar me Hagën dhe sot përpiqet që të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe fshehur. Kosova është në anën e duhur të historisë dhe ka mbështetjen tonë.”- u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Konjufca tha se nuk mjafton që Kosova dhe Shqipëria të jenë fqinjë të mira, por që të jenë një komb i vetëm dhe kjo të materializohet edhe në politikat e saj.

“Ne po e vazhdojmë traditën e mirë të shtetit tonë që vizitën e parë të kreut të Kuvendit të Kosovës e bën në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi interesa të njëjta sepse jemi një komb, ndaj unë mendoj se të tillë duhet t’i kemi edhe politikat. Ne diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në disa fusha. Unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër, jo si dy vende fqinje të mira por si dy vende që konstituojnë një komb të vetëm.”- tha Konjufca.