Vendosni fjalën kyçe....

Paradoksi i Evropës si destinacion


Nga Irena Beqiraj

Për çdo ndjekës të paanshëm të debatit mbi faktorët e shtyrjes së hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, por edhe të ecurisë së integrimit rajonal, konkluzioni është i thjeshtë – Rruga konvencionale e ndjekur për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian ka pushuar së qenuri rrugë suksesi, që kur u pranua si e tillë.

Rruga e përmbushjeve të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian ka kohë që është thelbësisht e paqartë, madje kushtëzimet e BE-së kanë ndikuar gjerësisht në produktin politik që kemi sot, autoritarizmin konkurrues. Sa më shumë përmbushnin kushtet, paradoksalisht, aq më pak vendet e Ballkanit Perëndimor ecnin drejt evropianizimit dhe demokratizimit. Faktorët e këtij produkti janë sot të qartë për shumë studiues politik dhe ekonomik të rajonit, por ndër më kryesorët renditet liberalizimi i tregut, i cili u bë në mënyrë të njëkohshme me hartimin e rregullave gjë që krijoi mundësinë e përfitimeve ekonomike vetëm për një elitë të vogël. Kjo elitë ka krijuar tanimë lidhje të forta klienteliste, duke rritur ndikimin sistematik në politikë.

Për më tepër, kushtëzimet e përcaktuara nga lart-poshtë, janë kthyer në matëset e vetme të performancës politike edhe ekonomike edhe pse fiktive. Mungesa e matëseve të performancës të vendosura së brendshmi zerojnë hapësirën për konkurrencë politike, diskutime të brendshme të ideve të zhvillimit të vendeve në veçanti apo dhe të rajonit. Prioriteti ka qenë, është dhe mbetet përmbushja e kushteve të BE. Ligji i Heisenbergut, edhe pse ligj i fizikës, thjeshtësisht mund të shpjegojë efektin patologjik që këto kushtëzime krijojnë te politikë-bërja e vendeve të rajonit. Sikurse procesi i vëzhgimit ndikon tek thërmia e vëzhguar edhe sjellja politike e elitave drejtuese ne dukje është në përputhje me standardet e kushtet e vëzhguesit, BE. Kjo pajtueshmëri në dukje i bën të pacenueshme politikat e tyre edhe pse në thelb janë jotransparente. Çdo hap i proklamuar edhe/ose i hedhur brenda sallonit të pritjes së BE-së, si dhe ndërveprimi me zyrtarë të lartë të BE-së ose dhe shteteve anëtare i lejon politikanët të forcojnë legjitimitetin e tyre,  dhe pse niveli i përgjegjshmërisë në politikë-bërje ka qenë i ulët. Në këtë mënyrë më shumë sesa demokracinë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor po lulëzon stabilio-kracia.

Nëse fjalën integrim e zëvendësojmë me fjalën kontribut, edhe fjalën negociatë e shoqërojmë me frazën “mes të barabartësh” është e qartë që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë larg Evropës së Bashkuar, e cila në pikëpamjen e themeluesve të saj u ngrit si një treg përbashkët ekonomik teknologjik edhe politik, por në rrënjë të saj duhet të ishte lidhja kulturore. Pavarësisht qëmtimit të kujdesshëm të raporteve të Komisionit Evropian për të pikasur arritjet, me stadin ekonomiko-zhvillimor dhe politik gjashtë vendet e Ballkanit nuk janë në gjendje të kontribuojnë në ekonominë edhe politikën e përbashkët evropiane, por mbi të gjitha jemi shumë larg saj kulturalisht. Thënë troç, ato janë në hollin e pritjes më së shumti si meritë e pozicionit të tyre gjeografik.

Gjashtë vendet të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të përballen njëjtat sfida social ekonomike – përmirësimin e infrastrukturës, diversifikimin e burimeve të qëndrueshme energjetike, forcimin e konkurrencës, rritjen e produktivitetit, uljen e papunësisë,  krijimin e ekonomive të dijes – sfida të cilat nuk ka asnjë shans të zgjidhen me reforma apo politika të importuara nga jashtë sado vizionare mund të jenë si ide. Sjellja deri diku e kuptueshme nga aktorët vendimmarrës ka qenë praktike, asnjë pronësi mbi proceset e importuara thjesht përdorim i tyre sipas nevojave thellësisht politike të momentit.

Dikur i krahasoja përpjekjet e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar me përpjekjet e Impresionistëve, të cilët kërkonin suksesin edhe daljen nga varfëria vetëm duke u bërë pjesë e ekspozitës së madhe të artit të zhvilluar nga Akademia Franceze. Impresionistët e kuptuan se suksesi, nuk mund të arrihej vetëm duke plotësuar arritur kushtet dhe standardet e akademisë. Ata e kuptuan që kishin ngecur tek “paradoksi i kapjes” dhe përdorën si  detour organizimin e ekspozitave të tyre të vogla. Kreativiteti i tyre mundësoi lulëzimin e disa lëvizjeve në art dhe secila lëvizje sot është e famshme dhe pjesë e gjithë muzeumeve të botës.

Sot sërish mendoj që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hapin mendjen edhe të gjejnë alternativa zhvillimi, të cilat nuk mund të importohet dhe të  kushtëzohet nga jashtë. Sërish mendoj që duhet të çlirojmë mënyrën tonë të të menduarit, nga “efekti i arritjes/plotësimit të standardeve apo kushteve”, të cilat edhe pse i admirojmë, politikisht dhe kulturalisht nuk jemi gati t’i përvetësojmë. Por sot më shumë se kurrë mendoj se ka ardhur koha të pranojmë me bindje të thellë se nuk mund të jetë më Evropa që do të mendojë strategjikisht për ne, duke vazhduar të “na mësojë” përparësitë edhe objektivat tona strategjike. Destinacioni ynë duhet jetë zhvillimi jo Evropa përse.  Evropa mund të na përkrah në këtë udhëtim, por kurrsesi nuk mund të na drejtojë më. Vetëm atëherë do të jemi gati për të negociuar me të, pavarësisht dinamikave të saj të brendshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *