Vendosni fjalën kyçe....

Detaje nga vrasja në Tiranë, viktima kishte kërkuar divorcin nga vajza e të dyshuarit


Të tjera hollësi janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak më herët pranë Gjykatës së Tiranës, ku mbeti i vrarë Kudret Saliaj dhe u plagos avokati Adriatik Cama.

Sipas të dhënave të raportuara nga televizioni “News 24”, shtetasi Mexhit Picari ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr direkt drejt ish-dhëndrit të tij Kudret Saliaj.

Në tavolinë me të ka qenë edhe avokati Adriatik Cama, i cili ka mbetur i plagosur. Ai ishte avokati i tij i caktuar kryesisht pas hedhjes së shortit.

Ditën e sotme në orën 12:00 do të mbahej seanca e gjashtë për zgjidhjen e martesës së çiftit Kudret dhe Dhurata Saliaj, mirëpo nuk arriti të mbahej pas krimit të rëndë.

Kishte qenë viktima Kudret Saliaj ai që kishte bërë kërkesë për zgjidhje të martesës pranë gjykatës, që në tetor të vitit të vitit 2020. Kjo pas pretendimeve të tij për tradhëti nga ana e gruas. Ndërsa pala tjetër pretendon se Saliaj e ka larguar gruan me dhunë nga shtëpia pas këtyre pretendimeve dhe nuk e ka lejuar të takojë tre fëmijët.

Konflikti brenda familjes u tensionua akoma më shumë kur ndaj Dhuratës u bë një denoncim në polici. Ajo akuzohej se kishte ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve të saj dhe mbesës së burrit, si dhe të kishte kërcënuar vjehrrën.

Pas këtij kallëzimi, Dhurata Saliaj u arrestua më datë 3 Tetor. Pasi u arrestua, Dhurata doli përpara Gjykatës së Tiranës dhe trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie.

Pas shumë konfliktesh, Mexhit Picari ka vendosur të bëjë gjyqësi. Sot para nisjes së seancës së gjashtë, ish-vjehrri Mexhit Picari ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr direkt drejt ish-dhëndrit dhe ka lënë të plagosur avokatin Adriatik Cama. Fill pas ngjarjes, autori Picari u largua nga vendi i ngjarjes me një makinë Hyundai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *