Vendosni fjalën kyçe....

Spartak Braho u drejtohet kolegëve: Si e vlerësoni gjendjen psiqike të Presidentit, se populli e quan ‘të çmendur’


Është mbledhur këtë të premte sërish Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në këtë mbledhje u zgjodhën dy ekspertët, që do të jenë pjesë e komisionit, Erind Mërkuri dhe Artan Spahiu.

Gjatë diskutimeve, deputeti Spartak Braho ka kërkuar që për presidentin Ilir Meta të ketë një vlerësim për gjendjen e tij psikologjike, ndërsa kujton deklaratat e tij.

Ai ka pyetur dy kolegët mjekë se si e vlerësojnë gjendjen e presidentit, që sipas tij nuk është aspak normale.

“Unë kam një çështje që kërkon njohuri speciale, por jo të fushës së ekspertimit ligjor. Duke përfituar se ne kemi anëtarë dy mjekë, Stojkun e Bojaxhin, dua të vë në dukje këtë gjë: në sensin e problematikës që unë shoh në leximin e materialeve, kam thjesht merak sqarues.

Çështja është kjo: në materialet audio dhe vizive që komisioni disponon në lidhje me deklarimet e presidentit, të krijohet përshtypja se ai shfaqet në gjendje psikologjike dhe karakteriale aspak normale, madje ka formuluar dhe akuza për persona të veçantë, drejtues kryesorë të shtetit, të cilët trajtojnë dhe shfaqen si kapërcime logjike të tija. Më 24 prill, presidenti deklaron publikisht ‘të dashur prokurorë e gjyqtarë, dëgjojeni mirë presidentin, boll dëgjuar përfaqësuesit e Ndraghetas.

Nëse jo, një pikë gjak të derdhet nesër, në mos një pik lot, mjerë ju’. ‘Cfurqet do jenë të dielën, nëse preket vota. Kjo histori ka marrë fund’. ‘Bablok, shqiptarët e vinë shumë mirë se kush është kurdisur, me qetësi e vendosmëri do të marrësh përgjigjen më 25 prill. Unë do shkoj në shtëpi, ti në psikiatri’. Pyetja është kjo për dy kolegët mjekë: Këto janë çështje shumë specifike për t’i vlerësuar ne si juristë, prandaj shtroj problemin se si e vlerësoni ju gjendjen psiqike të Presidentit?”- është shprehur ai.

Deputeti Edmond Stojku i cili vjen nga fusha e mjekësisë, tha se ky është një problem krejt profesional mjekësor. Sipas tij tek Meta shihet një luhatje emocionale e stresit, që çon në shpërthime dhe vendimmarrje të gabuara të individëve me pushtet. “Kjo vjen nga moskontrolli i emocioneve. Nuk do të ishte keq, një këqyrje më e thellë profesionale, që mund të nxjerrë konkluzione më të detajuara.”- shton ai.

Braho më pas shtoi se nuk duhet të shmangen nga analiza e shkaqeve që e ka çuar Presidentin në këto sjellje, ndërsa e quan atë të çmendur.

“Ne duhet të hetojmë edhe shkaqet, kjo është logjike. Pra, nëse këto janë veprime të një njeriu të çmendur, se populli ashtu e quan atë, apo janë veprime të një njeriu që është mbërthyer nga emocionet dhe kapërcen. Ne nuk duhet të shmangemi nga analiza e shkaqeve, që e kanë çuar presidentin në këto veprime.”- janë fjalët e Brahos.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *