Vendosni fjalën kyçe....

Balla: PD duhet të pranojë zgjedhjet dhe ftesën tonë të sinqertë


Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, kërkoi një hetim të plotë e të detajuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Ai shtoi se PD-ja duhet të distancohet nga grupet e armatosura, që sipas tij, u ngritën gjatë fushatës elektorale dhe mbanin logon e asaj partie, ndërsa përsërit ftesën për bashkëpunim. Balla kërkon nga PD që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

“PD krijoi grupe të armatosura, që çuan deri në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit.

Për mua vrasja e 21 prillit ka një detyrim për t’u zbardhur deri në detaje, jo vetëm tek atentatori, por tek urdhëruesit e atij akti të rëndë kriminale, që jo vetëm trazoi zemrat e qytetarëve të Elbasanit, por ndikoi në një proces të lirë e demokratik.

Një parti politike, që përgjatë fushatës, organizon grupe të armatosura, hyn nën juridiksionin e ligjit dhe duhet hetuar në detaje. Prokuroria duhet të bëjë detyrën, jo vetëm ndaj atyre që shkrepën armët, por edhe ndaj atyre që urdhëruan grupe të tilla. PD ka gjithë kohën e nevojshme që të distancohet nga kjo ngjarje, nga këto grupe të ngritura e të loguara me logon e PD, sepse PD e mëparshme nuk ka pasur asnjë lidhje me PD sot. Nëse i ka mbetur edhe sadopak ADN e PD-së së vitit 1990, duhet të pranojë sot rezultatin e zgjedhjeve, ftesën tonë të sinqertë për të punuar prej 9 shtatorit në Parlamentin e ri në funksion të një reforme të thellë politike në vend, që duhet të përfshijë dhe Parlamentin.

Ne i kemi të gjitha mundësitë që të ecim përpara në një proces shumë të rëndësishëm, që ende bën bashkë shumicën e shqiptarëve. 90% e shqiptarëve mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE. Në këtë këndvështrim, dua që sot t’i shpreh këtij Parlamenti të kësaj legjislature mirënjohjen më të thellë për gjithë punën që kemi bërë bashkë për çuarjen e reformave për para, mbi të gjitha atë në drejtësi.”– tha Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *