Vendosni fjalën kyçe....

Surprizat e PS, kush mund ‘të thyejë’ listën për deputetë? Sondazhet e brendshme të PS nxjerrin deputet Pandeli Majkon dhe Dallëndyshe Bicin, bien Xhafaj e Kodheli


Fushata zgjedhore po vjen drejt fundit teksa ka hyrë në javën e saj finale. Të dielën e 25 Prillit shqiptarët do të votojnë për herë të parë me një sistem hibrid zgjedhjesh ku përveç forcës së partisë do të duket edhe forca e secilit kandidat.

Sistemi në teori i jep mundësinë çdo kandidati të thyejë “herësin”, i cili del duke pjesëtuar numrin total të votave të marra nga partia me numrin e kandidatëve. Në rast se herësi është më i madh se 10.000 vota, atëherë automatikisht ai mbetet 10 mijë. Ky është rasti i qakut Tiranë, ku është edhe mundësia më e madhe e një kandidati për të thyer herësin.

Kjo edhe për faktin që Partia Socialiste ka vendosur disa nga peshat e rënda poshtë asaj që mund të quhet vija e zjarrit. Pandeli Majko; Fatmir Xhafaj; Mimi Kodheli janë tre socialistë të vjetër, të cilët për shkak të marrëdhënieve jo fort të mira me Edi Ramën e gjejnë vetën jashtë listës fituese të partisë dhe tashmë duhet të marrin votat e tyre për t’u bëre deputetë.

Përveç tre peshave të rënda, në listën e PS ka edhe të paktën dy surpriza, kuksiania Dallandyshe Bici dhe djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, Ornaldo Rakipi. Të dy këta kandidatë, sipas sondazheve të kryera nga vetë Partia Socialiste, por edhe bazuar në të dhënat e fushatës, duket sikur do të arrijnë të ngrihen lart.

Pandeli Majko duket se është më i sigurti në udhëtimin e tij për të thyer herësin dhe “inatin” që ka Edi Rama me të. Kjo edhe për shkak të zonës ku kandidon Majko, Njësia 5, hambari historik i votave socialiste në Tiranë. Me një numër tepër të madh votash në dispozicion për të bërë fushatë dhe mbi të gjitha i veshur me karizmën e një socialisti të vjetër dhe babaxhan, Majko duket se do e kalojë lehtë herësin.

Mimi Kodheli nga ana tjetër duke që është dorëzuar dhe mësuar me idenë që katër vjeçarin e ardhshëm nuk do jetë më në parlament. Zona ku është caktuar të bëjë fushatë dhe të mbledhë vota Mimi Kodheli, Farka dhe rrethinat jugore të Tiranës, është një kafshatë shumë e madhe për të.

Sadi Vorpsi, një tironc i vjetër me taban u tërhoq i pari nga ajo zonë se e dinte që nuk kishte asnjë shans. Kodhelit ja lanë këtë zonë dhe sondazhet e brendshme të PS-së nxjerrin në nivelin e 4.000 – 4.500 votave.

Fatmir Xhafaj, një tjetër socialist i vjetër, është edhe ai emër që po lufton për të thyer herësin. Të ishte për Edi Ramën, ndoshta Xhafaj nuk do ishte nē lista, por ndikimi i Erion Veliajt bëri që të renditet numri 22 në Tiranë. Gjithsesi, Xhafaj në Njësinë 10, ka shumë pak mundësi të marrë votat që duhen.

Surpriza duket sikur do të jetë nga kuksiania e IKMT, Dallandyshe Bici, e cila ka edhe mbështetjen e madhe të Edi Ramës. Bicit i është caktuar një zonë e vështirë për tiransit si Kamza dhe Paskuqani, por e lehtë për të. E njohur si vajzë nga Kukësi që ka ka çarë vetë në Tiranë, Dallëndyshe Bici duket se po ecën shumë mirë edhe në zonën e saj.

Ajo favorizohet edhe nga fakti që Partia Socialiste pothuajse e ka shumë pak kandidatë nga veriu në listën e saj të Tiranës. Sondazhet e nxjerrin Bicin të parën në zonën e saj, por njëkohësisht tregojnë që ka edhe një mbështetje shumë të madhe në komunitetin e veriorëve në Tiranë. Duke qenë e vetmja veriore me mundësi për të fituar në radhët e Partisë Socialiste, njëkohësisht e vetmja pikë takimi e një komuniteti që përbën 30% të qarkut Tiranë, Bici duket se do e gjeje vetën deputete në mandatin e ardhshëm.

E njëjta gjë duket edhe me Ornaldo Rakipin, djalin e Aqif Rakipit. Emri i Aqif Rakipit u bë i njohur kur arriti të nxjerrë PDIU parti të tretë në Elbasan. Rakipi po punon këtë herë për të birin. Rakipi po punon kryesisht me votuesit me origjinë nga Elbasani, Cërriku, Peqini dhe Librazhdi. Ai mbështetet edhe nga një pjesë e komunitetit çam i Tiranës, Ornaldo Rakipi duket shumë pranë kapërcimit të listës për t’u bërë deputet në katër vjeçarin e ardhshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetadita


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *