Vendosni fjalën kyçe....

“Erdogani është diktator” – komentet e kryeministrit italian zemërojnë Turqinë


Mario Draghi ka zemëruar Turqinë pasi e quajti presidentin turk Recep Tayyip Erdogan “një diktator”, pas incidentit ku sëbashku me Charles Michel, e lanë në këmbë presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Unë absolutisht nuk jam dakord me sjelljen e Erdoganit ndaj presidentes von der Leyen.”– tha kryeministri i Italisë. “Unë nuk mendoj se ishte sjellje e përshtatshme dhe më erdhi keq për poshtërimin që duhej të vuante von der Leyen.”

Draghi më pas e quajti presidentin turk “një diktator”, por mbrojti angazhimin e vazhdueshëm diplomatik të BE-së me Ankaranë.

“Me këta diktatorë – le t’i quajmë ata siç janë – duhet të jemi të sinqertë në shprehjen e larmisë së pikëpamjeve dhe vizioneve të shoqërisë.”– tha kryeministri Italian, citon FT. “Njeriu gjithashtu duhet të jetë i gatshëm të bashkëpunojë për të siguruar interesat e vendit të vet. Duhet gjetur ekuilibri i duhur.”

Mirëpo Ministria e jashtme e Turqisë ka reaguar duke thënë se kishte thirrur ambasadorin italian në Ankara për “deklaratat e papranueshme” të Draghi-t.

Faruk Kaymakci, i cili është zëvendësministri i punëve të jashtme të Turqisë, si dhe drejtori për çështjet e BE-së, informoi ambasadorin se Erdogan “ishte një udhëheqës i zgjedhur me më shumë vota” dhe se Turqia i dënon ashpër fjalët e kryeministrit italian. Ai tha se Turqia priste që “vërejtjet ekstreme dhe të shëmtuara të papërshtatshme” të aleatit të tërhiqeshin menjëherë.

Kaymakci tha gjithashtu se debati mbi incidentin me Von der Leyen ishte “i pakuptimtë dhe me qëllim të keq”, që synonte të minonte një axhendë pozitive midis Turqisë dhe BE-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *