Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta i kërkon KLSH-së nisjen e auditimit të plotë të kompanisë “Albcontrol”


Presidenti Meta i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit nisjen e një auditimi të plotë të kompanisë ‘Albcontrol’.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se kjo gjë bëhet pas situatës së rëndë të krijuar në aeroportin e Rinasit ditën e djeshme.

Pjesë e auditimit të KLSH-së sipas Metës duhet të jenë mënyra e menaxhimit të kompanisë, respektimi i ligjeve nga organet vendimmarëse, përdorimi i fondeve publike, respektimi i procedurave të marrëdhënieve të punës si dhe çdo gjë tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt e funksionimin normal të ‘Albcontrol’.

“Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:

–   mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;

–  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;

–   përdorimin e fondeve publike;

–   respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe

–   çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.

Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale,  duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast.

Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *