Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë: Paraja në qarkullim u rrit me 52 miliardë lekë gjatë vitit 2020


Banka e Shqipërisë publikoi të mërkurën ndërhyrjet në tregun e parasë për tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Të dhënat treguan se injektimi i likuiditetit në treg ka qenë në nivele të përafërta me tremujorin e tretë.

Injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit, ka qenë pothuaj i pandryshuar në 39.27 miliardë lekë, kundrejt 40.05 miliardë lekëve në 3-mujorin e tretë, por me rritje graduale me fillimin e vitit, kur injektimet e BSH-së kanë qenë mesatarisht 30 miliardë lekë.

Kërkesa e bankave për likuiditet në operacionet e BSH-së ka qenë afër 40 miliardë lekë dhe është rritur deri në 49 miliardë lekë në muajin tetor, për të rënë gradualisht në 2 muajt e fundit të vitit në rreth 35 miliardë lekë. Në 3 muajt e fundit të vitit të kaluar, paraja në qarkullim është rritur me 13.89 miliardë lekë me një përqendrim më të madh në muajin dhjetor. Në total, gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me 52.41 miliardë lekë.

Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, BSH-ja ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, për mesatarisht 22.14 miliardë lekë ose rreth 56.38% e injektimit total.

Në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare, BSH-ja ka vijuar injektimin nëpërmjet “ankandit me çmim uniform”, ku bankat mund të marrin hua shuma të pakufizuara me normë interesi të njëjtë me normën bazë. Vendimi ka synuar uljen e pasigurisë në sistemin bankar për gjendjen e likuiditetit në çdo bankë.

Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, si edhe normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

Banka Qendrore konfirmoi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, për t’i shërbyer rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *