Vendosni fjalën kyçe....

Videomesazhi i Kryemadhit: Ne e mbajmë fjalën dhe do t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka publikuar sot një tjetër videomesazh në rrjetet sociale, ku përmend disa nga pikat e programit të saj elektoral.

Zonja Kryemadhi në spotin e sotëm, ndalet në çështjet e mjedisit duke thënë se do të zhbëjnë ndotjen nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm dhe se do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak. Gjithashtu ajo thotë se do t’i bëjnë ndërtimet më të sigurta nga tërmetet, duke reformuar standardet antisizmike.

Kryemadhi thotë se forca politike që ajo drejton e mban fjalën.

“Shqiptarët jetojnë në një vend të bukur dhe të bekuar nga Zoti, me malet fisnike, me fushat, detin e ajrin si askush tjetër. Por keqshfrytëzimi dhe papërgjegjshmëria e kanë ndotur mjedisin duke e bërë shpesh të rrezikshëm për jetën e njerëzve dhe një mundësi të munguar për turizmin.

Ne do të mbrojmë dhe kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm. Ne do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak. Do të reformojmë standardet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, që t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për shqiptarët. Do të vendosim një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit. Ne e mbajmë fjalën! Shqipëria shtëpia juaj!”, shprehet Kryemadhi.