Vendosni fjalën kyçe....

Opozita e Bashkuar i kërkon ministrit Çuçi zgjatjen deri më 30 prill të afatit të kartave të identitetit


Opozita e Bashkuar nëpërmjet një letre dërguar sot për ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarit të KQZ, Ilirian Celibashi dhe drejtuar për dijeni ambasadorëve të ShBA, BE, OSBE, kërkon shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri me 30 prill 2021.

Në letre opozita e bashkuar ngre shqetësimin për konstatimin e një numri të madh të shtetasve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike.

Në letër thuhet se nga informacionet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në 25 Prill.

Sipas letrës së opozitës pamundësia ekonomike dhe koha e shkurtër për të mundësuar pajisjen me karta identiteti qytetarët shqiptarë që u ka skaduar mjeti i identifikimit kërkohet marrja e masave të njëjta me ato të ndërmarra me ligjin nr. 11/2019, datë 05.03.2019 “Për një shtesë në Ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u vendos shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002.

Opozita thotë se “kjo masë nuk duhet të ndalë nxitjen tonë të përbashkët për shtetasit shqiptarë që të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit. Mirëpo për efekt të garantimit të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur, shtyrja e afatit të vlefshmërisë është një masë proporcionale dhe e domosdoshme, që duhet të ndërmerret pa vonesa të mëtejshme në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote“.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *